Një 21-vjeçar, i identifikuar si Klevis Cani, u gjet dje nga patrulla e Policisë së Elbasanit i mbuluar në gjak, në mes të rrugës. Menjëherë ai u dërgua në spitalin Kirurgjik të Elbasanit, por deri më tani nuk ka pranuar që të bashkëpunojë me Policinë për të dhënë emrat e agresorëve të tij. Edhe pse në gjendje të mirë shëndetësore dhe jashtë rrezikut për jetën, ai sërish nuk i është përgjigjur pyetjeve të hetuesëve.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një konflkti të nisur për arsye të dobëta, pasi është emër i panjohur për Policinë e Elbasanit, e nuk rezulton të jetë pjesë e bandave kriminale. Megjithatë nuk përjashtohet as mundësia që e gjitha të ketë nisur pasi ai dhe persona të tjerë të kenë konsumuar alkool.
Patrulla e policisë e hasi Klevis Canin në lagjen “Skëndërbej” teksa po i drejtohej një farmacie për të blerë medikamente për plagën që kishte marrë në shpinë, e cila mund të jetë shkaktuar nga një thikë ose nga një kaçavidë. Pikërisht në mometin që ka pikasur efektivët, i riu është rrëzuar në tokë pa ndjenja. Edhe pse i riu nuk flet, grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.