TIRANE – Fushata e kualifikueseve të Botërorit 2026 do të mbyllet në muajin nëntor dhe Kombëtarja shqiptare do të luajë muajin e ardhshëm ndeshjet e fundit me Andorrën dhe Anglinë.
Kuqezinjve pas fitores me Serbinë iu rritën ndejshëm shanset për te kaluar në play-off, duke qenë se Anglia tashmë është skuadra e kualifikuar direkt.
Kombëtarja kuqezi është në vendin e dytë me 11 pikë, 1 më shumë se Serbia dhe një fitore me Andorrën mund t’i japi biletën për në “play-off” nëse Serbia nuk fiton me “Tre Luanët” në Angli.
Po kështu edhe Kosova është shumë pranë një rezultati historik, teksa pas fitores me Suedinë është në vendin e dytë me 7 pikë pas Zvicrës që kryeson me 10 pikë.
Por si funksionon faza e “play-off”-it?
Kujtojmë se në këtë fazë do të marrin pjesë 12 skuadrat e dyta të grupeve dhe 4 fitueset e grupeve të Ligës së Kombeve që nuk janë pjesë e vendit të parë apo të dytë të grupeve të këtyre eliminatoreve që po zhvillohen.
Për të 16 skuadrat do të hidhet një short që do të vendosë 4 ekipe në 4 grupe: A, B, C dhe D. Fituesit e këtyre 4 grupeve do të kualifikohen në botërorin e 2026.
16 skuadrat e “play-off”it do të ndahen në 4 vazo: 12 ekipet e vendeve të dyta të grupeve do të ndahen në bazë të klasifikimit të tyre në renditjen e FIFA të muajit nëntor 2025; 4 të parat do të jenë në vazon e parë; 4 të dytat në vazon e dyte dhe 4 të tretat në të vazon e tretë. Në vazon e fundit do të jenë katër skuadrat e Ligës së Kombeve.
Përllogaritjet deri tani e rendisin Kombëtaren shqiptare dhe atë të Kosovës, që të dyja në vazon e tretë që do të thotë se nuk do të kemi përballje mes tyre. Po kështu, në vazon e tretë janë edhe Maqedonia e Veriut dhe Bosnja.
Në vazon e parë janë Italia, Turqia, Ukraina dhe Polonia, ndërsa në vazon e dytë janë Çekia, Hungaria, Sllovakia dhe Skocia.
Përsa iu përket skuadrave që vijnë nga Liga e Kombeve ato janë: Uellsi, Rumaina, Suedia dhe Irlanda e Veriut.
Mekanizmi i shortit është i tillë: skuadrat e vazos së parë do të përballen me ato të vazos së katërt, ndërsa ato të vazos së dytë me ato të vazos së tretë.
Që do të thotë se Kombëtarja kuqezi dhe Dardanët mund të kenë si kundërshtarë të mundshëm në fazën e “play-off”-it: Çekinë, Hungarinë, Sllovakinë ose Skocinë.
Ndërkohë në bazë të kalkulimeve që bëhen në bazë të formës së skuadrave, rezultateve dhe vlerës së lojtarëve, është krijuar një renditje sipas së cilës shanset e fitimit të Kupës së Botës janë për 87 vende që janë ende në garë për kualifikim.
Shqipëria në këtë renditje është në vendin e 47-të, ndërsa Kosova në vendin e 49-të. Rivali ynë për vendin e dytë në grup Serbia, me të cilin mbeten të hapura ende llogaritë është edhe më përpara, në vendin e 27-të.





