Gazetarët shqiptarë kanë hasur probleme në kufirin grek këtë të premte, teksa po tentonin të kalonin për në Selanik, ku do të ndjekin takimin e kryeministrit Edi Rama me emigrantët shqiptarë të nesërmen.
Sipas informacioneve, autoritetet greke kanë pretenduar se gazetarët nuk kishin dokumentet e nevojshme, një akuzë që është mohuar nga gazetarët.
Sipas deklaratave të tyre, policia kufitare greke nuk i ka lejuar të kalonin kufirin pa marrë një autorizim nga Ministria e Jashtme e Greqisë.
Kjo situatë ka shkaktuar shqetësim dhe ka ngritur pyetje mbi mënyrën se si trajtohen gazetarët në raste të ngjashme.
Në përgatitje për takimin, forcat e Gardës së Republikës dhe Reneas kanë mbërritur në Selanik për të siguruar eventin, ndërsa policia greke ka dislokuar forca të shumta për të garantuar rendin dhe sigurinë.