Polici i Lali Eurit

0

 

Nga Anisa Bahiti

 

Dje live përballë kamerave  të gjithë publikut, kemi parë policët e Bashkisë së Tiranës që dukeshin  si një bandë e armatosur, që rrekeshin të kapeshin fizikisht me Kryetarin e Shtetit, teksa kërkonin të përzinin nga zyrat një parti politike, që deri para 2-javësh ka qenë aleate me partinë e Kryetarit të tyre. Madje jo vetëm kaq, por kjo parti në bashkinë e tyre mban edhe pozitën e nënkryetarit të Bashkisë.

 

Partia në fjalë është modeste, ka lindur para 9-vitesh nga një grup ish-deputetësh dhe drejtuesish të PD-së dhe gjithë këto vite ka qenë aleate në qeverisjen  vendore dhe qendrore me partine në pushtet. Ditën që ata vendosen të kthehen në shtëpinë e tyre PD-në, në koalicion  me ta, me disa vende modeste në kandidaturë, pushteti i çoi t’i zhbënte  me polic. Për këtë Lali Kryetari, vendosi të dërgonte  policët e tij, që tashmë i trajton sikur te jenë policë private.

Po cili është polici i Lalit?

Zakonisht është një qytetar i thjeshtë, fukara  që do të ruajë vendin e punës. Ai i përgjigjet urdhrave të Lalit në çdo kohë pavarësisht nëse janë apo jo të ligjshme. Policin e Lali Erit e gjen rrugëve të Tiranës, rëndom  duke vënë gjoba bizneseve. Zakonisht pas gjobave gjendet gjuha e përbashkët për të marrë gjobën nën dorë, të cilën e ndan me shefin dhe shefin e shefave. E gjen duke gjobitur dyqanet e frutave dhe perimeve, që të mbyllin dhe të punojnë supermarketet e oligarkëve. E gjen duke gjobitur makinat dhe lokalet te Myslym Shyri që po falimentojnë, që të punojnë qendrat e biznesit të oligarkëve. E gjen duke gjobitur makinat private për parking, që të punojnë parkingjet nëntokësore dhe mbitokësore të oligarkëve. E gjen duke gjobitur ndonjë të moshuar që shet qepë e lakra në ndonjë rrugicë, ndërkohë që rriten parqet orbitale imagjinare me kate në mes të Tiranës në forma të gradaçelave. Mire që nuk jeton më “Ver Llapa “se dhe atë do e gjobisnin teksa lypte, në formë historike dhe stoike nëpër kryqëzimet e Tiranës.

Polici i Lali €urit, e ndjen veten edhe më të fortë se polici i Policisë së Shtetit, se ushtarakët në uniformë pavarësisht gradës që ata kanë, ai e ndjen veten edhe më të pushtetshëm se kolegët e tyre të bashkive të tjera, sepse shefi i tyre është i përzgjedhuri i oligarkisë. Polici i Lalit nuk e di që ligji e ndalon që të shkojë dhe të bëjë presion ndaj një partie politike e cila ka mbi 1% dhe që garon  në zgjedhje gjatë kohës së fushatës. Polici i Lalit se vret mendjen që duhet të ketë 1 letër paralajmëruese  dhe vendim gjykate për largim nga zyra të një partie politike apo dhe të një subjekti privat. I duket njësoj  kur gjobit dhe shemb një fukara për një mur ndërkohë që në krah rritet një kullë shumë katëshe.

Polici i Lalit di një gjë, që Lali Euri është i përzgjedhuri i oligarkëve dhe shefi i plotfuqishëm. Çfarë nuk di polici për shefin e tij. Polici i Lalit se di që po shkele ligjin herët a vonë mund të shkosh në burg dhe atëherë shefi i fuqishëm s’të ndihmon dot. Polici i Lalit s’di që shefi i tij ka dhënë prova që ka karakter plasteline dhe herët a vone përulet dhe publikisht ndaj Presidentit apo çdokujt tjetër që mund t’i ketë nevojën, kur t’ia ketë nevojën. Polici i Lalit se di që ditën që dikush do shkojë në burg për Teatrin Kombëtar, s’do jetë as ndërtuesi oligark dhe as shefi i cili ndërkohë do jetë bërë plasteline duke thënë unë s’dija gjë, por do shkojë polici i Lalit dhe ndonjë drejtor i lodhur Bashkie.

Policit të Lalit i duket vetja polic privat teksa rreket të kapet me oficeret e Gardës dhe Kryetarin e shtetit. Por ajo që polici i shkretë i Lalit  nuk kupton edhe se rrogën e merr nga taksat tona dhe kur të vijë ajo kohë që do përballet me Gjykatën, atëherë shefi, që në vend të emrit quhet EUR, s’do t’i hapë as telefonin jo më gjë tjetër. Ndaj dje më erdhi keq për policin e Lali Eurit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu