Policia e Durrësit ka arrestuar mëngjesin e sotëm një 42-vjeçar me inicialet E. B., pasi gjatë konrollit në automjetin e tij tip ‘Porsche’ iu gjet një sasi prej 30 kg lende narkotike kanabisi në trajtën e çokollatës.
Gjithashtu uniformat blu kanë arrestuar dhe shtetasin me inicialet F.C., 41-vjeç, i cili mësohet të ketë informuar 42-vjeçarin mbi vendodhjen e uniformave blu.
Droga dyshohet se ka ardhur nga jashtë vendit dhe nuk është prodhuar në Shqipëri. Materialet i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i policisë:
Durrës/ Finalizohet operacioni i koduar “Kritikal”.
Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Durrës.
Sekuestrohen 77 pako me lëndë narkotike marijuanë në formë çokollate, me peshë 30.640 kg, 3600 euro, 2 automjete dhe 6 aparate celularë.
Arrestohet në flagrancë poseduesi i lëndës narkotike dhe bashkëpunëtori i tij, i cili e informonte për prezencën e shërbimeve të Policisë në rrugë.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Durrës, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në bazë të informacioneve të disponuara për një shtetas që po lëvizte në drejtim të Durrësit, me sende të kundërligjshme në mjet, kanë organizuar menjëherë punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Kritikal”, në kuadër të tëcilit u arrestua në flagrancë shtetasi: E. B., 42 vjeç, banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë, pas marrjes së informacionit, kanë ndaluar në vendin e quajtur “Mbikalimi i Plepave”, mjetin tip “Porsche”, me drejtues shtetasin E. B. Gjatë kontrollit në bagazhin e këtij mjeti u konstatuan 77 pako me lëndë narkotike të dyshuar marijuanë në formë çokollate, me peshë 30.640 kg.
Gjithashtu, në momentin e kapjes në flagrancë të shtetasit E. B., shërbimet kanë ndjekur dhe kanë ndaluar mjetin tip “Audi”, me drejtues shtetasin F. C., i cili gjatë hetimeve ka rezultuar se ka bashkëpunuar me shtetasin E. B., duke e informuar atë për prezencën e shërbimeve të Policisë në rrugë.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës u arrestua në flagrancë edhe shtetasi F. C., 41 vjeç, banues në Tiranë.