Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako nuk është arratisur siç u aludua dje në media por ndodhet në Drejtorinë e Policisë.
Sipas një njoftimi për shtyp nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njoftohet se Bllako ndodhet aty që prej mbrëmjes së kaluar.
Në njoftim konfirmohet se ish-deputeti është vetëdorëzuar në bazë të masës së sigurisë që ju dha dje nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Njoftim për shtyp
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, informon publikun se përkundër disa lajmeve të rreme mbi arratisjen e shtetasit Alqi Bllako, ky shtetas ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme.
Sqarojmë se shtetasi Alqi Bllako është vetëdorëzuar konform detyrimit ligjor për zbatimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, lëshuar dje nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.