Policia merr në mbrojtje familjen e prokurorit që i hodhën në erë makinën

0

Policia e Tiranës merr në mbrojtje familjen e magjistratëve Muça. Prej mbrëmjes së djeshme kur makina në pronësi të prokurorit Muça u shpërthye me tritol, një patrullë policie qëndron pranë shtëpisë së tyre.

Mjeti në pronësi të prokurorit Muça, po që përdorej dhe nga bashkëshortja e tij, gjyqtarja Gentiana Muça, ishte i parkuar brenda ndërtesës së “Kristal Center”, në parkingun e dedikuar nën tokë, ndaj dhe zhurma ishte e madhe dhe banorët që jetojnë në atë ndërtesë kanë dalë të traumatizuar.

Vetë prokurori Muça është marrë në pyetje nga Policia dhe ka deklaruar se nuk ka konflikte, dhe se nuk është kërcënuar ndonjëherë. Sipas Muçës, kjo ngjarje mund të ketë lidhje me detyrën e tij si Inspektor në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Grupi i hetimit ka sekuestruar gjithë pamjet e kamerave të sigurisë në zonë dhe i ka shtrirë hetimet në “pistën” që ka deklaruar vetë prokurori, për shkak të detyrës. 100 gram tritol dyshohet se është vendosur poshtë mjetit tip Mercedes Benz A Class, duke e shkatërruar pothuajse plotësisht.

Deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorëve, familja e prokurorit Muça do të ruhet nga Policia e Tiranës. Dyshimet janë se kjo ngjarje mund të ketë qenë mesazh për bashkëshorten e tij, e cila është gjyqtare në Gjykatën Administrative të Tiranës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu