Vazhdon krimi mjedisor i firmës së ndërtimit në Mjull Bathore. Megjithëse krimi mjedisor që kjo kompani po bën me inertet u denoncua ditën e djeshme në media, asnjë masë nuk është marrë nga instancat shtetërore.
Toka të tëra po përmbyten nga dherat që firma e Bektashit hedh ku të mund, duke mbushur periferinë e Tiranës me male inertesh. Një prej venddepozitimeve të paligjshme që kjo komani po përdor, është periferia e Tiranës zona e quajtur Mjull Bathore.
Joq shkruan se: jo vetëm gjatë natës, por dhe gjatë ditës qindra ton dherash shkarkohen në këtë zonë nga makinat e rënda që për nga numri i tyre janë kthyer në autokolonë.
Pluhuri dherat po mbysin çdo gjë. “megjithëse kemi marrë në telefon disa herë policinë për të parë se çfarë po ndodh, ata nuk vijnë duke na braktisur të parët”, thotë një zotëri i moshuar. Ky krim i kompanisë së ndërtimit “Kontakt”, e cila në mes të ditës krijon male me dhera, duket se gëzon mbrojtjen e shtetit.
Krimi mjedisor i tipit mafioz ku banorët duhet të mbyllin gojën përballë masakrës mjedisore nuk po ka të ndalur.
Ndërtuesi që ushtron aktivitetin e tij në Tiranë është duke ngritur kompleksin “Mangalem” në zonën e Ali Demit.
Pasi nxjerr dheun nga themelet mbush makinat e tonazhit të rëndë dhe i dërgon ato përgjatë rrugës së senatoriumit, duke përfunduar në Mjull Bathore.
Nuk dihet ende se kush do të ndalojë këtë masakër mjedisore dhe a do të ndërshkohet ndokush, por dihet që kompania e ndërtimit “Kontakt” po kryen një vepër penale në mes të banorëve dhe në mes të Tiranës ditën me diell duke vrarë mjedisin e përbashkët.
Ditën e djeshme Dosja.al shkruante se firma e ndërtimit “Kontakt”, e cila po ndërton kompleksin gjigand “Mangalem” në zonën e Ali Demit dhe prej disa muajsh gërmon themelet.
Mbetjet e ndërtimeve dhe mijëra ton inerte i depoziton në zona të jashtëligjshme. Ky ndërtues ka mbushur për një kohë të shkurtër gjithë periferinë e Tiranës me inerte duke shkaktuar një katastrofë ekologjike dhe mjedisore. Ajo kishte edhe një video ku shikohej kamiona që shkarkonin mbetje duke shkaktuar një dëm të madh mjedisor.
Banorët e zonës janë ankuar disa herë në redaksinë duke treguar me foto dhe video se si makinat e tonazhit të rëndë mbushur me dhera bëjnë çdo ditë rrugën nga Ali Demi në Senatorium dhe mbërrijnë në fshatin Mjull Bathore.