Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit të 18 majit në zonën e Komunës së Parisit, ku një 28-vjeçar ka mbërritur i plagosur në këmbë në spital. Hetimet zbuluan se i riu ishte vetëplagosur aksidentalisht me armë zjarri që e mbante pa leje.
Ngjarja ka ndodhur në ambientet e një lokali në këtë zonë, ndërsa përveç të plagosurit, janë ndaluar edhe dy persona të tjerë dhe është shpallur në kërkim një i katërt, të dyshuar për përpjekje për të fshehur armën.
Në pranga kanë rënë:
• Kristjan Kaçorri, 28 vjeç, i vetëplagosuri;
• Airold Cami, 33 vjeç;
• Arnold Malci, 30 vjeç (kamarier në lokal).
Ndërkohë është shpallur në kërkim shtetasi E. E., 41 vjeç, banues në Kuçovë.
Sipas policisë, pas ngjarjes, shtetasit Cami. dhe 41-vjeçari kanë marrë armën e zjarrit dhe gëzhojën për ta fshehur në një ambient jashtë lokalit, ndërsa kamarieri A. M. ka tentuar të pastrojë gjurmët nga vendi i ngjarjes.
Arma e zjarrit tip pistoletë është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa 28-vjeçari ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.