Politika, mesazhe urimi për 8 Marsin, Begaj, Rama dhe Berisha vlerësojnë rolin e grave e vajzave

0

Në kuadër të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, krerët e politikës shqiptare kanë përcjellë mesazhe urimi, duke theksuar rolin e tyre në familje dhe në shoqëri.

Presidenti Bajram Begaj ka uruar përmes rrjeteve sociale të gjitha gratë shqiptare, duke vlerësuar forcën, sakrificat dhe dashurinë e tyre. Kreu i shtetit shprehu respekt dhe mirënjohje për çdo nënë, motër dhe bijë që, sipas tij, e bëjnë Shqipërinë më të mirë çdo ditë dhe mbajnë gjallë shpirtin e familjes e të kombit.

Edhe kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetet sociale për këtë ditë, duke falënderuar gratë dhe nënat për gjithçka që bëjnë. Në mesazhin e tij, Rama uroi që pjesëmarrja e grave në jetën shoqërore dhe publike të rritet dhe angazhimi i tyre të forcohet edhe më tej, në mënyrë që kontributi i tyre për vendin të jetë gjithnjë e më i madh.

Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me gra dhe vajza me rastin e 8 Marsit, u shpreh se kjo është vetëm një nga ditët e vitit kur gratë nderohen, ndërsa sipas tij ato meritojnë vlerësim çdo ditë.

“Ju uroj gëzuar këtë ditë, e cila në fakt, nuk është gjë tjetër veçse njëra nga ditët e vitit në të cilën ju meritoni nderim të përditshëm, të për orëshëm. Dua të shpreh një mirënjohje të pakufishme ndaj jush, ndaj të gjitha grave dhe motrave, vajzave demokrate, të cilat me ndihmesën, me guximin, me qëndresën e tyre, janë fibra kryesore e opozitës shqiptare dhe e Partisë Demokratike. Kontributi i juaj, kontributi i gruas shqiptare është i shumëfishtë krahasuar me kontributin e burrave, djemve dhe ky është një realitet sot”, Berisha.

Berisha theksoi se kontributi i grave në shoqëri është i shumëfishtë pasi përballen njëkohësisht me angazhimet profesionale dhe përgjegjësitë familjare.