SHBA- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili është në një mosmarrëveshje të hapur me Universitetin prestigjioz të Harvardit, e akuzoi sot atë si një institucion antisemitik i së majtës ekstreme dhe një kërcënim për demokracinë, në një mesazh në platformën e rrjeteve sociale Truth Social.
“Ky vend është një rrëmujë progresive dhe pranon studentë nga e gjithë bota që duan të shkatërrojnë vendin tonë”, ka shkruar gjithashtu presidenti amerikan, i cili dje nënshkroi një sërë urdhrash ekzekutivë që synojnë intensifikimin e mëtejshëm të presionit ndaj universiteteve amerikane.
Në mesazhin e tij, Trump bën thirrje për shkarkimin e një avokati që punon për kompaninë e tij, Organizatën Trump, dhe që gjithashtu përfaqëson Harvardin.
“Ai nuk është aspak i mirë sidoqoftë dhe shpresoj që kompania ime shumë e madhe dhe e mrekullueshme, të cilën tani djemtë e mi e drejtojnë, do të shpëtojë menjëherë prej tij”, thotë presidenti.
Donald Trump nuk përmendi asnjë person me emër, por duhet të jetë William Burk, një avokat shumë i respektuar në qarqet republikane, i cili është këshilltar i Organizatës Trump dhe të cilin Harvardi e caktoi për të mbrojtur universitetin kundër Shtëpisë së Bardhë.
Harvard të hënën sulmoi administratën Trump për ngrirjen e saj të fondeve federale, e cila u vendos pasi universiteti prestigjioz refuzoi të përmbushte një sërë kërkesash të Shtëpisë së Bardhë. Presidenti amerikan, i cili akuzon universitetet si vatër sfidash nga forcat progresive, dëshiron të ketë fjalën në proceset e pranimit të studentëve, punësimin e fakulteteve dhe kurrikulën.