Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, vizitoi sot Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë me rastin e festës së Pashkës, ku përcolli urimet e tij për të gjithë besimtarët.
“Ngjallja e Krishtit është një ditë e shenjtë, është dritë, shpresë, besim dhe gëzim,” tha Kreu i Shtetit, duke theksuar se kjo ditë është një thirrje për më shumë dashuri dhe mirëkuptim mes njerëzve. “Uroj të gjithë besimtarët për shumë gëzim, begati e paqe në këto Pashkë të gëzuara”, shtoi ai.
Presidenti Begaj pati edhe një mesazh të veçantë për të rinjtë shqiptarë: “Uroj për një të ardhme më të mirë dhe të ndritur për ta, këtu, në vendin e tyre.”
Kremtimit iu bashkua edhe Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joani, i cili përcolli urimin: “Dita e Pashkës është ditë gëzimi. Le të shpresojmë që Pashka të sjellë gëzim dhe shpresë për të gjithë.”