Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka mbërritur në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Europian, i cili po zhvillohet për herë të parë në Shqipëri. Në mbërritje, ai është pritur nga Kryeministri Edi Rama në një ceremoni zyrtare në ambientet e pritjes së liderëve ndërkombëtarë.
Në një deklaratë të shkurtër për mediat, Presidenti Erdogan e cilësoi Shqipërinë si një vend me rëndësi të veçantë për promovimin e paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
“Çfarë është ajo që prisnim? Presim shumë gjëra me vëllanë tim shqiptar,” u shpreh Erdogan në gjuhën turke, duke nënvizuar raportin e ngushtë dhe të qëndrueshëm me Kryeministrin Rama.
“Në Shqipëri, e gjithë bota do të thërrasë zërin e paqes,” shtoi ai, duke e pozicionuar samitin si një platformë të rëndësishme për dialog dhe stabilitet në rajon e më gjerë.
Samiti i Komunitetit Politik Europian mbledh në Tiranë liderë nga më shumë se 40 vende të kontinentit, me fokus në forcimin e sigurisë, bashkëpunimit strategjik dhe perspektivës europiane për rajonin e Ballkanit Perëndimor.