TIRANË- Presidenti i vendit Ilir Meta ka zhvilluar një takim me përfaqësues të komunitetit arbëresh të cilët i ka pritur në Presidencë. Me anë të një postimi në facebook presidenti Meta shkruan se është gjithmonë emocionues takimi me Nënkryetarin e Bashkisë Arbëreshe të Ururit, Molise, z.Emiliano Plescia dhe Këshilltarin për Kulturën të kësaj Bashkie, z.Roberto Anzivino.
Presidenti Meta vlerësoi përpjekjet e tyre për të trashëguar brez pas brezi gjuhën, kulturën dhe traditat e “Motit të Madh” të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, që meritojnë sa më parë të bëhen pjesë e UNESCO.
“Takimet me përfaqësues të komunitetit shumë të dashur arbëresh janë gjithmonë emocionuese. I lumtur të prisja ngrohtësisht Nënkryetarin e Bashkisë Arbëreshe të Ururit, Molise, z.Emiliano Plescia dhe Këshilltarin për Kulturën të kësaj Bashkie, z.Roberto Anzivino.Është mbresëlënëse dhe frymëzuese të njihesh me përpjekjet e tyre për të trashëguar brez pas brezi gjuhën, kulturën dhe traditat e “Motit të Madh” të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, që meritojnë sa më parë të bëhen pjesë e UNESCO” shkruan Meta teksa tregon se ka marrë dhe një ftesë për të vizituar Bashkinë e Ururit.