Daniel Rika është 18-vjeçari që humbi jetën në Lushnje pak minuta pas tërmetit që tronditi vendin në mesnatë.
I riu ka qenë gjumë kur ka rënë tërmeti, por kur mamaja ka shkuar ta zgjojë nga frika, ai ka pësuar infarkt.
Familjarët e tij thonë se ai është trembur nga britmat e familjarëve dhe sapo është ngritur nga krevati ka pësuar infarkt.
“Nipi ka qenë i sëmurë. Mesa mora vesh unë është trembur është çuar dhe ka rënë dhe ka vdekur. Nuk e di se si ka rënë. Unë tani erdha në spital sepse isha te shtëpia dhe më thanë që e ka marrë ambulanca dhe e ka prurë. Ka qenë i vdekur kur e kanë sjellë në spital. Ai ishte i sëmurë, ka qenë shtruar.”
Do të jetë ekspertiza mjekoligjore ajo që do zbulojë shkakun e saktë të vdekjes së 18-vjeçarit.
Tërmeti me magnitudë 4.6 i shkallës Rihter u regjistrua në orën 00.17 të së dielës. Epiqendra e lëkundjeve ishte disa kilometra larg Lushnjes. Për pasojë tërmeti u ndje edhe në shumë qytete të tjera si Tiranë, Durrës, Kavajë, Fier, Korçë, Pogradec, Vlorë etj.