Një nga plazhet më të bukura në Shqipëri, ai i Gjeneralit në Kavajë, duket se shumë shpejt do të mbyllet përfundimisht për publikun, pasi qeveria shqiptare ka vendosur t’ia japë një biznesmeni të vetëm.
Bëhet fjalë për kompaninë “Mediterranean Wave”, e cila me vendim të Komitetit të Investimeve Strategjike ka arritur të marrë plot 635 mijë metër katrorë tokë publike, apo thuajse të gjithë zonën që njihet si Plazhi i Gjeneralit.
Kompania përfituese është krijuar vetëm një vit më parë dhe zotërohet 100 për qind nga “Shijaku Shpk” e biznesmenit Shpëtim Shijaku, bën me dije gazetari Klodian Tomorri.
Kjo kompani është shpallur investitor strategjik nga qeveria, dhe deklaron se në këtë plazh do të ndërtojë një resort turistik me vlerë 50 milionë euro dhe të ketë në përbërje hotele, vila (fshat turistik), shërbime të hotelerisë, parqe, hapësira për aktivitete. Statusi i investitorit strategjik i jep biznesmenit Shijaku drejtën ekskluzive të shfrytëzimit të plazhit ranor për 30 vjet.
Ndërsa infrastrukturën rrugore, ujësjellësin, impiantin e ujërave të zeza si dhe nënstacionin e energjisë elektrike që do të shërbejnë ekskluzivisht për rezortin janë marrë përsipër të ndërtohen nga shteti.
Dy vjet më parë qeveria i dha biznesmenit Shijaku kundrejt çmimit simbolik 1 euro edhe 140 mijë metër katrorë tokë publike, pjesë e vendkomandës qendrore të Ushtrisë në zonën e Saukut. Ndërsa vetëm pak muaj më parë, kjo kompani arriti të marrë lejen për të çmontuar Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, që ndryshe njihet si Uzina e ARMO-s.