Projekti i Unazës së Madhe/ Banorët e Laprakës bllokojnë rrugën

0

Pasditen e sotme banorët e zonë së Laprakës në Tiranë kanë dalë në protestë kundër shembjes së objekteve nga projekti i Unazës së Madhe i cili parashikon shembjen e 700 shtëpive.

Banorët bllokojnë rrugën “Josif Pashko” për rreth gjysmë ore nga të dyja krahët duke shkaktuar në këtë mënyrë radhë kilometrike.

Në intervistë për “Fax News” ata shprehen të vendosur t’i shkojnë qëndrimit tyre deri në fund që asnjë nga shtëpitë e tyre të mos shembet pasi një pjesë e mirë e tyre i kanë të legalizuara e të tjerë kanë aplikuar për leje para shumë vitesh pa marrë asnjë përgjigje zyrtare.

“Duam ne apo s’duam ne projekti do të realizohet. Ne kërkojmë vetëm që të kompesohemi nga shteti. Normale që do të vazhdojmë të protestojmë po na i prish shtëpiat shteti, ne nuk jemi budallenj të rrimë jashtë”, thotë një protestues.

“Qëllimi jonë nuk është të bllokojmë rrugën por të sensibilizojmë autoritet që të na japin shpjegim sa është gjerësia e rrugës dhe a rrezikojnë shtëpitë tona që të prishen. Ne nuk jemi kundër zhvillimit të zonës por s’kemi idenë se ku i bie projekti”, u shpreh protestuesi.

“Jam në proces lekalizimi që në 2004, ne duhet të dimë si do të procedohet me ne. Di që janë nja 700 banesa, kanë dalë disa projekte dhe nuk ka transparencë një pjesë e njerëzve në të gjithë këtë zonë janë me halle. Bllokimi i rrugës nuk është normale, njerëzit kanë halle, kanë probleme por kjo nuk është normale. Policia duhet të vijë këtu dhe të zhbllokojë rrugën, unë nuk jam dakord për bllokimin e rrugës, janë gjynah mbi 2 km janë bllokuar rruga ka edhe urgjenca”, tha një banor i zonës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu