Projekti “ToP Future” nxit bashkinë dhe institucionet për të vazhduar komunikimin me shkollat kundër përfshirjes së të rinjve në krime

0

Bashkia Elbasan në bashkëpunim me disa organizma ligjzbatuese do të nisë në muajt në vazhdim takime sensibilizuese dhe informuese në shkolla për rritjen e sigurisë, ndërgjegjësimin e të rinjve ndaj veprave penale, pasojave të tyre dhe orjentimin drejt zgjedhjeve të duhura për të ardhmen.
Këto takime vijnë menjëherë pas një studimi që u realizua për herë të parë nga INAC e mbështetur nga Global Initiative Against Organized Crime përmes fondit të Resiliencës tek nxënësit e klasave të nënta në shkollat e qytetit të Elbasanit. Studimi ka nxjerrë të dhëna që kanë lidhje me nivelin e bullizmit, përdorimin e armëve të ftohta, të drogërave, sigurinë në shkolla dhe mungesën e besimit tek institucionet. Kryetari i bashkisë Gledian Llatja gjatë mbledhjes së Këshillit Vendor të Sigurisë tha se nuk do të kontaktohet vetëm me nxënësit dhe stafet e shkollave por do të synohet përfshirja e tyre në aktivitete të ndryshme larg veseve dhe krimit. Llatja theksoi faktin se kanë munguar studime konkrete për këtë grupmoshë. I pari i këtij lloji është zhvilluar nga INAC dhe është tashme i ndarë me të gjitha institucionet shtetërore dhe arsimore për të orjentuar politikat dhe kurrikulat shkollore në luftën kundër përfshirjes së të rinjve në veprimtari kriminale dhe peshkimit të tyre nga krimi i organizuar.

Prokuroria Elbasan konfirmon problematikat e konstatuara nga studimi i INAC

Kreu i Prokurorisë së Elbasanit Kreshnik Ajazi tha se “hotspootet” që bashkia i kishte përcaktuar si problematike në konsumin dhe në shpërndarjen e shitjen e lëndëve narkotike kanë qenë në vëmendjen e institucioneve ligjzbatuese kete periudhe. “Përsa i përket hotspoteve në bashkëpunim me drejtorinë vendore të policisë u mbajtën shënim ato vende dhe u morën masa për ti goditur dhe proceduar.

Për periudhën janar-tetor 2022 ne kemi pasur 51 raste të autorëve që bëjnë shpërndarjen e lëndëve narkotike nga të cilët 27 janë me masa arresti, për 13 raste kemi pasur hetime proaktive dhe në dy raste ato janë nga hotspotet e shpërndarjes së evidentuar nga Bashkia dhe të raportuara nga qytetarët”.


Kryeprokurori deklaroi se ka pasur një rritje të numrit të të miturve të proceduar në konflikt me ligjin. “Sa i përket situatës së të miturve në konflikt me ligjin deri në këtë fazë të vitit ne kemi pasur 31 procedime penale me 30 të mitur në konflikt me ligjin”. Sipas Ajazit për vitin 2021 ka pasur një rritje të rasteve të procedura për shpërndarje droge tek të miturit. “Për 2021 e mbyllëm me 2 procedime penale për 2 të mitur që shpërndanin lëndë narkotike, deri më tani në vitin 2022 ne kemi 5 raste pra ka një rritje dhe kjo është e dhënë pozitive që do të thotë se të gjithë mekanizmat funksionojnë pra ata që konstatojmë po veprojmë”.

Drejtuesi i prokurorisë së Elbasanit konfirmoi se në ambjentet shkollore ka konsum të lëndëve narkotike. “Për vitin 2022 në një rast nxënësi u konstatua nga oficeri sigurisë, një rast tjetër nga policia e shtetit në brendësi të shkollës me 2 të mitur, në një rast tjetër denoncimi ka ardhur nga vetë nxënësit e shkollës për lëndë narkotike të gjetur në shkollë”.

Ajazi kërkoi një vigjilencë më të madhe të stafeve të shkollave në funksion të evidentimit të problematikave të ndryshme. “Prokuroria e Elbasanit në bashkëpunim me bashkinë do të nisë në nëntor, dhjetor një tur takimesh ku do të bisedojmë jo vetëm me stafet por edhe me nxënësit që të sensibilizojmë mësuesit, oficerin e sigurisë dhe psikologët për të bërë të mundur evidentimin dhe referimin e rasteve. Në disa raste konstatohet se ka një tendencë për ti mbajtur problemet brenda shkollës dhe ka një tendencë për ti zgjidhur me mekanizma disiplinorë. kemi forma edhe të ngacmimeve seksuale, bullizimit, etj që mbahen brenda institucionit arsimor dhe nuk bëhen publike. Ne do bisedojmë që ti sensibilozojmë pasi nuk është vetëm detyrim qytetar por edhe detyrim ligjor i stafeve ti referojnë rastet”.

Kreu i prokurorisë referoi si problematikë të hasur vitin e fundit siç është mbajtja e armëve të ftohta me grushte metalike. “Janë konstatuar me mbajtje armësh dhe mjetesh 4 raste nga të cilat 3 brenda në shkollave. Pra ka një tendencë në rritje këtë vit. Konstatimi i armëve të ftohta është situatë që krijon premisa për ngjarje të rënda dhe duhet të shikohen me vëmendje” vazhdoi më tej ai duke konfirmuar kështu gjetje të studimit.

“Vazhdojmë të kemi raporte me shoqatat vendore që janë të fokusuara kryesisht në dhunën në familje dhe dhunën ndaj fëmijëve dhe të rinjtë. Gjatë vitit 2022 ne kemi organizuar 52 aktivitete në bashkëpunim me OJF e struktura të tjera. Takimet sensibilizuese janë zhvilluar në shkollat 9 vjecare, shkollat e mesme dhe me studentet” tha Ajazi duke iu referuar edhe forumeve të organizuara nga INAC me nxënësit e shkollave të qytetit në maj të vitit 2022. Këto forume u konsideruan një model I mirë për të vazhduar komunikimin dhe ofrimin e modeleve pozitive të rinjve për ti mbajtur larg krimit drejt një të ardhme pozitive.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu