Partia Demokratike përmes zëdhënësit të saj, Gazment Bardhi ka reaguar mbi gjetjet e prokurorisë për kryebashkiakun e Mallakastrës Qerim Ismailaj, i cili rezultoi i dënuar në Greqi me 3 vite burg, dënim të cilin e kishte fshehur në formularin e dekriminalizimit.
Reagimi i plotë i Bardhit:
Sot kemi një lajm të mirë! Një tjetër burgaxhi i Edi Ramës do të largohet nga qeverisja. Megjithëse me 1 vit e gjysëm vonesë, u provua vërtetësia e qendrimit të Partisë Demokratike se Kryebashkiaku ilegjitim i Mallakastrës, Qerim Ismailaj, është i dënuar me burg në Greqi dhe se ai e ka fshehur këtë fakt në formularin e dekriminalizimit.
Qerim Ismailaj është produkt politik i Edi Ramës, njësoj si mbi 20 kriminelë të tjerë që ai i futi në parlament, i emëroi në bashki dhe vazhdon me ta bashkëqeverisjen për të vjedhur pasuritë e shqiptarëve dhe bashkë me to, edhe votën e tyre.
Megjithatë, përballë të vërtetës, Edi Rama është i pafuqishëm për të mbrojtur kriminelët që e sollën në pushtet. Herët apo vonë, edhe ai vetë do të përballet me drejtësinë! E vërteta vonon, por nuk harron!
Rasti i Ismailajt u denoncua nga Partia Demokratike, përmes sekretarit të përgjithshëm Gazment Bardhi, dhe duket se pas verifikimit të prokurorisë, rezulton që pretendimi i demokratëve të ketë qenë i drejtë.
Ismailaj është dënuar në Greqi për kryerjen e veprimeve të dhunshme, plagosje (rrahje), gjë të cilën e kishte fshehur në formularin e dekriminalizimit.
Tashmë mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me mandatin e marrë nga Ismailaj, dhe nuk ndihet ende nëse ndaj tij do të ketë një hetim për falsifikim të dokumenteve.