TIRANË- Protesta e opozitës që u zhvillua një ditë më parë përpara Kryeministrisë ka tërhequr vëmendjen e shumë mediave prestigjioze perëndimore.
“Fox News”, “Reuters” dhe televizioni publik gjerman “ZDF”, i kanë kushtuar një artikull tubimin të djeshëm të organizuar nga opozita.
Televizioni gjerman raporton se mijëra protestuan kundër kryeministrit Edi Rama. Sipas ZDF, protestuesit e akuzojnë për korrupsion dhe kërkojnë dorëheqjen e tij.
“Fox News” shkruan se mijëra shqiptarë dolën në shesh kundër qeverisë. Në artikull shkruhet se protesta e cila përfundoi paqësisht shënoi edhe 33-vjetorin nga rrëzimi i statujës kryesore të diktatorit komunist, Enver Hoxha.
“Mijëra mbështetës të opozitës shqiptare mbajtën një protestë antiqeveritare të martën, duke akuzuar kabinetin për korrupsion. Protestuesit hodhën gurë dhe flakadanë ndaj policëve. Disa rrëzuan një gardh prej hekuri rreth godinës kryesore të qeverisë në kryeqytet.
Protesta, e cila përfundoi paqësisht, shënoi edhe 33-vjetorin nga rrëzimi i statujës kryesore të diktatorit komunist, Enver Hoxha. Që nga tetori, ligjvënësit e opozitës kanë ndërprerë rregullisht seancat e parlamentit për të protestuar kundër refuzimit të socialistëve të krahut të majtë në pushtet për të krijuar komisione parlamentare për të hetuar rastet e dyshuara të korrupsionit, që përfshijnë kryeministrin Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Protesta e të martës tregoi gjithashtu mbështetje për ish-kryeministrin dhe liderin aktual të opozitës, Sali Berisha, i cili është në arrest shtëpie, ndërsa po hetohet për keqpërdorimin e postit të tij për të ndihmuar dhëndrin e tij që të privatizonte një tokë publike për të ndërtuar ndërtesa banimi”, shkruan rrjeti amerikan.
“Reuters” shkruan se protestuesit hodhën gurë dhe bomba molotove drejt godinës së kryeministrisë duke akuzuar zyrtarët shtetërorë për përfshirje në krim dhe korrupsion.
“Protestuesit e opozitës sulmuan ndërtesën e qeverisë së Shqipërisë me bomba benzine dhe gurë të martën vonë, duke akuzuar zyrtarë shtetërorë për përfshirje në krimin e organizuar dhe korrupsion, pasi lideri i tyre u vendos në arrest shtëpie.
Mijëra njerëz u mblodhën para selisë së qeverisë në kryeqytetin Tiranë, ndërsa oficerët e policisë së trazirave u thirrën për të rrethuar zyrën e kryeministrit Edi Rama. Nuk ka raportime të menjëhershme për të lënduar, dëme të rënda apo arrestime.”, shkruhet në artikull.