Protesta në Shkup/ Mickoski: Një person me armë ka dashur të më vrasë! BDI: Incidenti i inskenuar nga aktivistët e koalicionit Aleanca – VMRO – Levica

0

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka publikuar një fotografi ku shihet një person me pistoletë në dorë, që sipas tij ka dashur ta vrasë. Mickoski përmes rrjetit social “Facebook” ka kërkuar nga MPB dhe ministri Spasovski që të veprojnë dhe të arrestohet ky person.

BDI përmes një njoftimi me shkrim ka dënuar incidentet që ndodhën në protestën e sotme në Maqedoninë e Veriut. Alsat.mk shkruan se sipas BDI-së, veprimet në protestën e sotme në ishin antieuropiane dhe të nxitura nga elementet pro ruse.

“Incidenti midis aktivistëve të VMRO-së, Levicës dhe Aleancës nuk ka se si mos të konsiderohet i paramenduar dhe i planifikuar nga ky koalicion pasi që protagonistë ishin pikërisht këto tre parti dhe përkrahësit e tyre. Personi që sulmoi partnerët e koalicionit sonte, dje bënte fushatë bashkë me të vëllain për VMRO-në, ndërsa sot është funksionar i VMRO-së, drejtor i Higjienës Komunale në Shkup. BDI fton për gjakftohtësi dhe mosnxitje të incidenteve ndëretnike dhe dhunës në protesta. Forcat antieuropiane nuk do të ngadhënjejnë sepse vendi ynë është në NATO dhe qytetarët e duan Europën” thuhet në reagimin e BDI-së.

Nën moton “Ultimatum – Jo faleminderit” përpara Qeverisë , edhe sot ka vazhduar protesta kundër pranimit të “propozimit francez” për heqjen e vetos bullgare dhe fillim të bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me BE-në.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu