Protesta për largimin e Bashës, reagon Prokuroria: Janë arrestuar 34 persona për 5 vepra penale, hetimet vijojnë

0

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë po kryen hetime për çështjen penale me Nr. 182 të vitit 2022, për ngjarjen e datës 08.01.2022, të ndodhur në selinë e Partisë Demokratike. Nga veprimet e para hetimore të kryera rezultojnë të jenë arrestuar 34 persona, të dyshuar për vepra penale të ndryshme si “Shkatërrim prone” sipas nenit 150 të Kodit Penal, “Prishja e qetësisë publike” sipas nenit 274 i Kodit Penal, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” sipas nenit 282 te Kodit Penal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” sipas nenit 278 i Kodit Penal dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” sipas nenit 279 i Kodit Penal. Po kryhen veprimet e duhura në drejtim të individualizimit të veprimeve të kryera nga secili prej personave të arrestuar dhe personave të tjerë të përfshirë në veprime në kundërshtim me ligjin. Nga hetimet e deritanishme rezulton të jenë ngritur si pista hetimi: – dhuna e ushtruar nga protestuesit në drejtim të selisë së PD-së dhe pasojat e ardhura si shkatërrim prone, – përdorimi i lëndëve të panjohura në drejtim të protestuesve para ndërhyrjes së policisë dhe dhuna e ushtruar në drejtim të tyre, – mbajtja e sendeve të ndryshme të paligjshme dhe individualizimi i autorëve, – si dhe çdo e dhënë tjetër e pretenduar deri në këtë fazë. Hetimet vijojnë në mënyrë intesive në drejtim të marrjes së të dhënave me vlerë hetimore. Po kryhen të gjitha veprimet si: – sekuestrimet e pamjeve filmike në të gjitha ambientet me vlerë hetimore, – marrja në pyetje e të gjithë personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, – si dhe çdo lloj veprimi tjetër që do dalë i nevojshëm nga dinamika në vijim. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është e angazhuar maksimalisht për kryerjen e hetimeve me objektivitet si në çdo rast, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të çdo personi që ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu