Protestat në Serbi: Fundi i stabilitokracisë dhe njohje de-fakto e Kosovës, apo farsa e radhës?

0


Nga Nicasia Picciano “Dtt-net.com”

Më 24 dhjetor, në prag të Krishtlindjeve, opozita serbe tentoi që të sulmonte godinën e Bashkisë së Beogradit gjatë protestës kundër manipulimit në shkallë të gjerë të zgjedhjeve më të fundit. Si pasojë e trazirave në kryeqytetin serb, u plagosën 8 policë dhe u arrestuan 38 protestues.

Kryeministrja serbe, Ana Brnabic, falënderoi publikisht shërbimet sekrete ruse për ndarjen në kohë të informacionit mbi protestat e dhunshme që pritej të ndodhnin në Serbi. Më 17 dhjetor, Partia Progresiste Serbe e Aleksandar Vucic (SNS) “fitoi” zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale.

SNS numëron 750.000 anëtarë, dhe krahasuar me popullsinë, cilësohet si partia më e madhe politike në mbarë botën. Ish-ministri i informacionit në kohën e sundimit të Slobodan Milosevic, dhe një dishepull i kriminelit të luftës, njëherazi kumbari i tij Vojislav Sheshelj, i ka festuar me shumë gëzim rezultatet e zgjedhjeve.

Megjithatë, ka prova të manipulimeve dhe blerjes masive të votave. Ndër të tjera, SNS akuzohet se organizoi udhëtimin e mijëra serbëve me autobus nga Republika Srpska e Bosnje Hercegovinës në Serbi, në mënyrë që ata merrnin pjesë në zgjedhje.

Më 25 dhjetor, Petar Petkovic, drejtori për Kosovën në qeverinë serbe, fajësoi kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për mbështetjen e protestave të opozitës në Beograd. Dhe po atë ditë, ambasadori rus në Serbi, Aleksandr Botsan-Kharchenko, pretendoi se pas protestave kundër manipulimit të zgjedhjeve qëndron Perëndimi, me një përpjekje të tijën për ta destabilizuar qeverinë e Vucic.

Përgjegjësia e Brukselit dhe e SHBA-së

Në rast se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, nuk do të ushtrojnë këtë herë një presion të vendosur ndaj Beogradit që të ri-përsëritë zgjedhjet, gjë që me shumë gjasa nuk do të ndodhë, duke fituar shumicën absolute, SNS e Vucic mund të qeverisë e vetme në 5 vitet e ardhshme.

Dhe ky skenar do të ndikojë pashmangshmërisht në çdo “zhvillim” të mëtejshëm në raport me Kosovën. E vërteta është se Brukseli dhe Uashingtoni kanë një pjesë të konsiderueshme të përgjegjësisë, sepse lejuan një rënie të ndjeshme të nivelit të demokracisë në këtë vend.

Thënë ndryshe, ata e kanë ushqyer ngritjen e sundimit autoritar në Serbi, duke e privilegjuar stabilitetin mbi demokracinë. Ata e kanë toleruar vazhdimisht autokratin Vucic, që për ta përfaqëson një faktor stabiliteti në Serbi por edhe rajon. Por kjo alibi, nuk mundet dhe nuk duhet të vazhdojë të funksionojë më.

Ngjarjet e fundit në Beograd, kanë treguar se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë serbe është e lodhur nga gënjeshtrat, shpërdorimi i pushtetit dhe manipulimi. Në vend të panoramës aktuale, ai kërkon një ndryshim drastik. Dhe Perëndimi nuk duhet të mbyllë njërin sy ndaj kësaj kërkese.

Mjerisht deri më tani realiteti është krejtësisht ndryshe. Dhe pragmatizmi ka të ngjarë të fitojë sërish mbi qëndrimet “e drejta”. Pra me shumë gjasa, nuk do të shohim ndonjë ndryshim të papritur të politikës ndaj despotit ballkanik.

Përkundrazi, edhe qëndrimi i fundit i ambasadorit të SHBA-së në Serbi, Christopher R.Hill, na nxit të mendojmë se do të ndodhë krejtësisht e kundërta. Hill mbështeti hapur rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe lokale në vend.

Megjithatë, ka pasur zëra të veçantë, si ai i Gjermanisë, që pretendojnë se ajo që ndodhi të dielën e 17 dhjetorit është e papranueshme për një vend kandidat për të hyrë një ditë në Bashkimin Evropian.

Vucic dhe Kosova

Ndërkohë, qeveria serbe ka njoftuar se do të njohë zyrtarisht targat e Kosovës. Dhe ky vendim do të nisë të zbatohet nga 1 janari i vitit 2024. A është lëvizja e fundit e qeverisë serbe, pas demonstratës pro-opozitës në Beograd, një synim real për të ndryshuar rrugën e ndjekur deri më sot, dhe për të dëshmuar një angazhim të qartë për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshje të vjetër?

Apo është thjesht farsa e radhës, në mesin e shumë prej atyre që kemi parë vitet e fundit?

A është vërtet Beogradi i gatshëm për një njohje de-fakto të Kosovës si shtet i pavarur? “Zhvillimet” e fundit mund të jenë më shumë një përllogaritje ose një “vendim praktik” për interesat e vetë Serbisë, sesa një përpjekje e vërtetë për të ripërcaktuar pozicionin e saj ndaj Kosovës.

Vucic dhe qeveria e tij, i kanë përvetuar shumë mirë lojërat me dy porta, si me Uashingtonin ashtu edhe me Brukselin. Prandaj, nuk ka gjasa që ata të ndryshojnë papritur pikëpamjet e tyre. Sigurisht, pushteti i Vucic gjatë 5 viteve të ardhshme do të vazhdojë të ndikojë në marrëdhëniet me Prishtinën.

Po ashtu, nuk përjashtohet mundësia që demonstratat e fundit të opozitës në Beograd, ta përshkallëzojnë më tej situatën në veri të Kosovës, enkas për të shmangur vëmendjen. Pavarësisht kësaj, ajo që ndodhi në prag të Krishtlindjeve në Beograd, ka një rëndësi të madhe për historinë e re të Serbisë.

Sepse po tregon se një pjesë e shoqërisë serbe, është e pakënaqur me gjendjen aktuale. Se ajo mësyu në rrugët e kryeqytetit serb, duke protestuar për demokraci dhe sundimin e ligjit. Ngjarjet e fundit, janë një shenjë e fortë se Perëndimi duhet të bëjë një mea culpa (të kërkojë ndjesë), dhe të pranojë përgjegjësinë e tij për favorizimin e versionit të Vucic mbi “demokracinë”.

Është e paimagjinueshme që Beogradi, i sunduar nga një autokrat që kontrollon të gjithë aparatin shtetëror dhe shoqërinë, madje edhe më shumë sesa Milosevic në vitet 1990 apo Tito më herët, është lejuar të hapë 22 nga 35 kapitujt në negociatat me Bashkimin Evropian për anëtarësim në union, në një kohë që Kosova nuk është ende as kandidate.

Dhe në rast se demonstratat e fundit tregojnë zhgënjimin e madh brenda vendit ndaj mënyrës si po shkojnë gjërat, opozita në Serbi nuk dëshiron ende që ta njohë pavarësinë e Kosovës. Për të qenë të saktë, duhet pranuar se mënyra se si është zhvilluar situata në Serbi dhe marrëdhënia e saj me Kosovën, është produkt i dekade të favorizimit të njëanshëm amerikan dhe evropian.

Kjo qasje ka sjellë rezultate shumë negative. Megjithatë, ka të ngjarë që të jetë e pamundur një ndryshim drastik i trajektores aktuale, për sa kohë që në pushtet do të vazhdojë të jetë Alexandar Vucic. Për më tepër, edhe kur do të largohet nga pushteti, është shumë e vështirë që të fshihet brenda natës një politikë stabilitokracie e ushqyer prej vitesh nga Perëndimi. Të gjitha shenjat, parathonë mbijetesën e një modeli të vjetër.

Shënim:Nicasia Picciano, eksperte mbi reformat shtetformuese të Bashkimit Evropian në Kosovë në Universitetin e Flensburgut, Gjermani.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu