Protestojnë serbët në veri, kërkojnë tërheqjen e njësive speciale policore

0

Pjesëtarët e komunitetit serb nga veriu i Kosovës, më 12 prill, protestuan dhe kërkuan tërheqjen e njësive speciale të Kosovës nga ai rajon, pas plagosjes së një bashkëqytetari të tyre.

Protesta është mbajtur në Zveçan, në rrugën kryesore, e cila nga banorët lokalë njihet me emrin “te ura e Bistricës”.

Në atë vend është vendosur një njësi speciale e Policisë së Kosovës dhe më 10 prill, aty ka ndodhur një incident, ku ka mbetur i plagosur personi me iniciale M.J.

Në protestë, serbët lokalë kanë iniciuar edhe një peticion për tërheqjen e forcave speciale të Kosovës.

Të tubuarit mbanin parullat “Evropa po shtien mbi ne”, “Nuk e keni vendin këtu”, “Stefan, Millosh, Milan, Millan, kush është në radhë?”.

Të pranishëm në protestë ishin edhe kryetari dhe nënkryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Igor Simiq.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që vepron me mbështetjen e Beogradit, më herët ka kërkuar gjithashtu tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu, që është edhe një nga kushtet e tyre për t’u kthyer në institucionet e Kosovës.

Parakalime protestuese të serbëve lokalë, janë paralajmëruar edhe për ditët në vijim.

Policia e Kosovës, e cila fillimisht mohoi përfshirjen në incident, suspendoi katër policë që dyshohet se ishin të përfshirë në të shtënat.

Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar hetim urgjent të rastit, ndërsa ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se hetimet e para kanë treguar se shoferi nuk është ndalur në sinjalin e policit, i cili më pas ka shtënë.

Për këtë arsye, pas ndërhyrjes së Inspektoratit Policor dhe prokurorit, katër zyrtarë të policisë janë arrestuar, si dhe u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Kosova vendosi forca shtesë në veri, pasi braktisjes së institucioneve të Kosovës nga ana e serbëve të atjeshëm. Forcat shtesë kryesisht përbëhen nga policë të komunitetit shqiptar, të cilët nuk pranohen nga popullata lokale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu