“Pse ministri i Drejtësisë është Papa?”, prokurori “problematik” mbi pasurinë e pajustifikuar: U tregova shumë naiv

0

Prokurori Emror Kasaj e mbylli fjalën e tij para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të enjten me kërkesën për rihapje të hetimit në dy kriteret e tjera, por ai la të kuptohej se ishte përgatitur edhe për të kundërtën.

“Nuk kam ndonjë dëshirë të madhe për këtë punë. Nuk është se kam dashur të jem prokuror,” tha ndër të tjera Kasaj, pas seancës që zgjati 4 orë dhe në të cilën dha shpjegime mbi një sërë transaksionesh, për të cilat pranoi vetë se ishte treguar “shumë naiv” dhe që ishin “mjaft të vështira për t’u shpjeguar”.

Komisioni, që sipas relatimit i kishte kaluar prokurorit barrë prove për deklarim të rremë dhe mungesë burimesh financiare, analizoi se përfshirja e prokurorit në këto transaksione kishin sjellë “cënim të besimit të publikut te drejtësia”.

Prokurori i Gjirokastrës u hetua nga një trupë e kryesuar nga Xhensila Pine, me anëtare Valbona Sanxhaktarin dhe relator Olsi Komicin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler.

Emror Kasaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000, si oficer i Policisë Gjyqësore. Prej vitit 2015, ai ushtron funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Rrethit Gjirokastër.

U paguan apo jo 150 mijë euro?

Sipas relatimit, Kasaj ishte përfshirë në një transaksion me synim blerjen e një prone 1000 metra katrorë në Yzberisht me shumën 300 mijë euro. Në këtë transaksion, Kasaj do paguante gjysmën dhe gjysma tjetër e pronës do të blihej nga M.L, një biznesmen. Prona shitej nga fqinjët e Kasajt.

Por këto veprime që duken një transaksion krejt normal rezultuan të ishin një rrokopujë veprimesh dhe konfliktesh, me pasojë disa padi e kundërpadi në gjykata të ndryshme.

Në relatim, KPK u fokusua te deklarimet e Kasajt mbi këtë pasuri. Komisioni vuri në dukje se Kasaj kishte deklaruar vetëm shpenzimin e 2.5 milionë lekëve për të blerë gjysmën e tokës me burim kursimet e tij dhe bashkëshortes. Kontrata e përpiluar e vendoste çmimin e tokës 5 milion lekë dhe këto ishin paguar para noterit.

Por dokumentet gjyqësore që pasuan pas dështimit të transaksionit zbuluan se vlera e pronës bashkë me ndërtesën mbi të ishte 300 mijë euro. Komici tha se bazuar në deklarimet e Kasajt përmes avokatit dhe në një letër dërguar ministrit të Drejtësisë së kohës, rezultonte se ai e kishte paguar të gjithë këtë shumë.

Por Kasaj këmbënguli në seancë se nuk kishte paguar fare para për këtë pronë. Ai tha se ishte rënë dakord me shitësin, i cili kishte pasur borxhe masive dhe një sërë problemesh të tjera, që pjesa e tij të paguhej vetëm pasi të jepej leja e ndërtimit. “Nuk kisha para dhe vetëm pasi të merrej leja mund të merrja kredi apo të kërkoja financim,” tha Kasaj, që pretendoi se ishte përfshirë në shitje si ndërmjetës.

Vënien në dukje nga Komici të deklarimeve në gjykatë ku thuhej se e gjithë shuma ishte paguar, Kasaj tha se ishte bërë nga avokati për të mbështetur padinë në të cilën kërkohej zbatimi i kontratës së shit-blerjes dhe se ai do paguante sipas parashikimeve në kontratë.

Ndërsa për letrën drejtuar Ministrit të Drejtësisë, Kasaj la të kuptohej se pretendimi aty ishte ngritur për të bllokuar ndërhyrjet e këtij të fundit që kishin penguar zbatimin e veprimeve të përmbarimit. “Ministri i Drejtësisë nuk është Papa”, tha Kasaj në seancë. Ai shtoi se një ish-ministër që kishte pasur zonë elektorale Kombinatin, kishte penguar zbatimin e vendimeve të përmbarimit, për shkak të lidhjeve me familjen e shitësit.

Nga ana e tij, Komici vuri në dukje se rreth gjithë kësaj situate, që ndërkohë përfshinte dhe një sërë lëvizjesh të tjera, disa huamarrje dhe huadhënie, KPK kishte konstatuar “deklarim të rremë” nga prokurori dhe për këtë i kishte kaluar atij barrë prove. KPK po ashtu kishte konstatuar mungesë burimesh në shumë 22 milionë lekë për të paguar shumën 150 mijë euro.

Për të rrëzuar këtë akuzë, Kasaj solli si provë pretendimet e kundërshtarëve të tij në këtë pronë, përfshi ortakun dhe shitësin dhe të afërmit e tij. Duke iu referuar emisionit “STOP” në të cilin ai denoncohet nga vëllai i shitësit dhe ortaku për mashtrim, Kasaj tha se të dy palët thonë që ai nuk kishte paguar asnjë lek. “Madje drejtuesit e emisionit bëjnë humor se unë do përfitoja pronën pa paguar,” tha Kasaj.

Lëmshi i borxheve

Problemet me këtë pronë nuk përfundonin vetëm mbi deklarimin se sa ishte paguar. KPK vuri në dukje se gjatë pyetësorëve dhe gjatë hetimit ishte zbuluar se Kasaj pretendonte se i kishte dhënë 50 mijë euro ortakut të tij në këtë transaksion, M.L.

Ai këmbënguli se M.L ia kishte marrë paratë për t’i kthyer brenda javës, por më pas kishte refuzuar dhe se pavarësisht përpjekjeve të tij, kishte refuzuar edhe të jepte kontratë noteriale mbi këtë shumë.

Komisioni vuri në dukje se në deklarime, Kasaj kishte pretenduar se këto para ishin huazuar nga vjehrra, por nga hetimi rezultoi se transaksionet bankare kishin ndodhur në një kohë të ndryshme.

Më pas, në një prej pyetësorëve, Kasaj kishte pranuar se kishte marrë një hua 140 mijë euro nga biznesmeni i ndërtimit, që ai e identifikoi si Shkëlqim Fusha. Kasaj tha se këto para ishin marrë për të paguar pjesën e tij të detyrimit në blerjen e tokës në Yzberisht, por se shitësi kishte refuzuar t’i merrte, pasi në të njëjtën kohë kishte ndryshuar mendje dhe nuk donte ta shiste më pasurinë. Sipas dëshmisë së Kasajt, ortaku që ishte në dijeni të këtyre parave ia kishte kërkuar si hua, për të blerë një pronë me çmim të lirë.

Por Komisioni ngriti dyshime mbi ekzistencën e kësaj huaje të padeklaruar më parë. KPK po ashtu ngriti dyshimi për sjellje të “papajtueshme me detyrën” të Kasajt si oficer i Policisë Gjyqësore, pasi rezultoi se ai kishte kryer veprime hetimore, përfshi një marrje dëshmie të Fushës.

Kasaj këmbënguli në dëshminë e tij se huaja ishte marrë. Ai dha edhe detaje të transferimit të shumës dhe këmbënguli se Fusha në mirëbesim nuk i kishte kërkuar deklarim noterial. Ai tregoi se një pjesë e parave, 90 mijë euro, ai i kishte marr cash te ish hotel Sheratoni, ndërsa pjesën tjetër prej 50 mijë eurosh në një moment të dytë. Kasaj tha se kishte plan që t’i shlyente paratë duke i kaluar Fushës të drejtat mbi pronën dhe se ai vetë do merrte prej saj vetëm pjesën që mbetej.

Kasaj po ashtu tha se kishte një deklaratë të shtypur me makinë shkrimi të firmosur prej tij, në të cilën pranohej marrja e shumës. Ai tha se nuk dinte sa vlente ky deklarim, por shtoi se ishte i gatshëm që t’i nënshtrohej hetimit penal për të provuar se dokumenti ishte i vlefshëm.

I pyetur se përse nuk e kishte deklaruar këtë shumë, Kasaj i kishte shpjeguar KPK-së se kishte deklaruar vetëm borxhin nga vjehrra, pasi Fushës ia kishte kthyer paratë kur pa që nuk ishte realizuar kontrata. Ai tha se vjehrrës ia kishte marrë borxhin pikërisht për të plotësuar shumën, që nga ana tjetër ai ia kishte dhënë hua biznesmenit M.L., me të cilin tani ishte në konflikt.

Komisioni nga ana e tij ngriti dyshime edhe mbi ekzistencën e huasë nga vjehrra. Komici tha se nga hetimet rezultoi se familja e vjehrrës nuk e kishte pasur këtë shumë parash dhe nuk kishte mundësi financiare për ta dhënë atë. Komici tha se nga lëvizjet në llogari dhe disa transaksione të ngjashme ishin krijuar dyshimet se bëhej fjalë për pasuri të fshehur të vetë Kasajt.

Ky i fundit e kundërshtoi këtë gjetje të KPK dhe këmbënguli se si vjehrri dhe vjehrra kishin pasur biznese me fitime dhe se ai nuk mund të sillte dokumentacion për shkak se tatimet nuk e kishin ruajtur. Ai tha se kishte sjellë një përgjigje nga tatimet për këtë mungesë.

Ai shtoi se nëse do ishin para të fshehura, ai “nuk ishte aq budalla” sa t’i transferonte ato te bashkëshortja.

KPK vuri në dukje se në këtë transaksion ishin përfshirë edhe motra e Kasajt dhe një i afërm i tij që ishin ofruar për të blerë pjesën e ortakut M.L. Sipas Kasajt, kjo ishte bërë kur ai kishte kuptuar se M.L nuk do i kthente pas paratë që ai i kishte marrë vjehrrës. Ai tha se kishte kërkuar ndihmën e të afërmve që të financonin pjesën prej rreth 100 mijë euro në mënyrë që të merrnin në dorëzim edhe gjysmën tjetër të pronës.

Kjo e fundit siç doli në seancë ishte ende e diskutuar dhe për të pritej një vendim i Gjykatës së Lartë. Në diskutim ishin po ashtu 50 mijë eurot e dhëna hua nga Kasaj, për të cilat ai paraqiti si provë një telefon të vjetër në të cilin pretendoi se kishte regjistruar bisedat me huamarrësin. Ai tha se këto biseda ishin bërë në prani të vëllait të M.L, i cili ishte vrarë në vitin 2012 dhe tha se fakti që vëllai i huamarrësit ishte i pranishëm, dëshmonte se ato ishin bërë para këtij viti dhe që mbështesnin dëshminë e tij.

Komisioneri Olsi Komici e pyeti Kasaj në fund të seancës se pse ai vazhdonte të ishte i përfshirë në përpjekjet për të fituar këtë pronë, me gjithë telashet që ajo i kishte krijuar. “Ju nuk keni paguar asnjë para dhe megjithatë përsëri kërkoni ta merrni?”, tha Komici. Kasaj tha se ai po kërkonte zbatimin e kontratës.

Probleme të tjera

Në relatim, Komisioni vuri në dukje probleme edhe sa i përket blerjes së një makine. Sipas Komisionit makina ishte blerë nga një person me qëndrim në Britani, por i ishte dhënë prokurorit dhe se ky i fundit e kishte shitur për 4 mijë euro, ndërsa nuk rezultonte që pronari të kishte marrë pjesë.

Kasaj pretendoi se makina ishte blerë për të nga një person që ishte një njohje rastësore gjatë pushimeve verore. Ai tha se personi në fjalë i kishte dhënë makinën me kushtin e vetëm që ai ta merrte në përdorim kur të ndodhej në Shqipëri.

Ai tha se kur e kishte pyetur për ta shitur, personi në fjalë i kishte dhënë leje të bënte çfarë të donte dhe shtoi se nuk kishte pasur më kontakte me këtë person dhe nuk e dinte nëse ai do i kërkonte para.

Vëzhguesi ndërkombëtar këmbënguli të merrte më shumë shpjegime në këtë situatë. Ai e pyeti Kasajn se si mund të ndodhte një transaksion i tillë me një person thuajse të panjohur. Kasaj tha se kjo ishte mënyrë shqiptare e të bërit të gjërave dhe se në këtë mënyrë, ai e kishte besuar dhe dhënë 50 mijë euro M.L. I pyetur nga Kesser për këtë marrëdhënie, Kasaj përsëriti se ishte treguar “naiv i madh”, diçka që e përsëriti disa herë në fjalën e tij. Ai tha se kurrë s’e kishte menduar që ky proces do i krijonte kaq shumë probleme.

Një hua tjetër e dhënë nga Kasaj prej 4 mijë euro për një person me iniciale A. Shtëmbari rezultoi po ashtu problematike, pasi sipas KPK-së, Shtëmbari kishte qenë më herët i pyetur nga Kasaj në një çështje.

Kasaj këmbënguli se çështja në fjalë kishte qenë më e hershme dhe ai nuk kishte parashikuar se do i jepte më vonë borxh këtij personi. Ai tha se në këtë rast, nuk kishte sjellje të papajtueshme. Ai iu përgjigj KPK edhe mbi disa çështje të tjera, por që kishin të bënin me pasurinë e prindërve.

Në fund, Kasaj këmbënguli që të rihapej hetimi në dy kriteret e tjera, duke pretenduar se provat e sjella prej tij, edhe pse tregonin një histori shumë të komplikuar, kishin rrëzuar barrën e provës. Po ashtu, ai tha se nuk ishte ndonjë problem edhe nëse KPK vendoste ndryshe. “Nuk kam frikë nga jeta,” tha Kasaj. Seanca për njoftimin e vendimit u caktua më 25 mars në orën 9.30.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu