VIDEO/Pse ndodh kjo?28 Nëntori në Elbasan, festë në letër, qytetarët të përjashtuar

0

 

Mbrëmjen e së enjtes, në vigjilje të 28 Nëntorit, muret hijerëndë të Kalasë së Elbasanit u shndërruan në një tablo magjike, teksa u ndriçuan me ngjyrat kuqezi. Një pamje mbresëlënëse nga zemra e Shqipërisë, që paralajmëronte festën më të madhe kombëtare. Por, ndryshe nga pritshmëritë, e nesërmja nuk solli surpriza për qytetarët.

Në Elbasan, ceremonialet zyrtare u zhvilluan sipas protokolleve të njohura, duke i mbajtur qytetarët kryesisht në rolin e spektatorëve. Fjalime të përgatitura në letër, pa shumë emocion, shoqëruan edhe këtë vit aktivitetet në nder të Ditës së Pavarësisë.Fillimisht, Bashkia e Elbasanit zhvilloi homazhe pranë bustit të firmëtarit të Aktit të Pavarësisë, Aqif Pasha. Të pranishëm ishin deputetë, drejtues lokalë dhe punonjës të administratës.

Rreth një orë më pas, në të njëjtin bust, Dega Lokale e Partisë Demokratike vendosi kurora me lule. Me një pjesëmarrje dukshëm më të ulët, ceremonia përfundoi shpejt, duke e lënë sheshin , simbol të historisë dhe sakrificës të boshatisur, si një ditë e zakonshme pushimi.

Përjashtim bënë vetëm aktivitetet në shkolla dhe dy koncertet e programuar në Teatrin “Skampa”. Përtej tyre, duket se festat kombëtare shijohen më shumë si ditë pushimi, sesa si mundësi për të organizuar veprimtari që sensibilizojnë dhe argëtojnë qytetarët.Në këtë periudhë, agjencitë turistike flasin për një rritje të ndjeshme të largimeve jashtë vendit, duke e kthyer 28 Nëntorin në një mundësi për “arratisje” dhe pushime të shpejta.