Publikohen rezultatet e Censit 2023! Shqipëria zvogëlohet me rreth 400 mijë banorë

0

Janë publikuar ditën e sotme rezultatet e Censit të Popullsisë, të kryer në vitin 2023.

Bazuar në të dhënat paraprake të Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023, rezulton se popullsia e Shqipërisë është 2,412,113 banorë. Ndërkohë, në vitin 2011, ishte 2,831,741 banorë dhe në Censin e vitit 2001 ishte 3,069,275.

Rezultatet u prezantuan nga drejtoresha e INSTAT, Elisa Dhuli, e cila tha se Censi ia ka arritur qëllimin për të cilën u krye.

“Ky cens ia ka arritur qëllimin për të cilën u krye! Të dhënat janë një e mirë publike, që përdoren për planifikim zhvillimor, analizën e dukurive demokrafike, sociale, mjedisore. Në emër të INSTAT dhe ekipit të CENS i falënderoj për kontributin e tyre”, tha Dhuli.

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 është Censi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923. Që prej Censit të vitit 1989, metodologjia e tij ka ndjekur gjithnjë e më shumë rekomandimet ndërkombëtare për kryerjen e Censit.

Censi i Popullsisë dhe Banesave ofron të dhëna mbi numrin zyrtar të popullsisë në një vend, në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave demografike, sociale dhe ekonomike të popullsisë.

Në mënyrë të ngjashme, Censi i banesave ofron numërimin zyrtar të të gjitha banesave në vend në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave të banesave.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu