Brenda një jave 3 persona , babai dhe djemtë 13 e 15 vjeç humbën jetën në ujë teksa notonin në plazhin Vilë Bashtovë si pasojë e mungesës së vrojtuesit të plazhit.
Fiks Fare e ka trajtuar disa herë problematikën e mungesës së vrojtuesve dhe kullave të vrojtimit në plazhe publike dhe private, ku sipas vendimit Nr. 171, datë 27.3.2019 “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit” në Neni 7-8 tregojnë të gjitha kushtet dhe masat e sigurisë që duhet të ketë një stacion plazhi dhe vrojtuesit e plazhit.
Në vijën bregdetare të Divjakës ka kulla vrojtimi, por nuk ka vrojtues, ndërsa në hapësirat private ka pika vrojtimi ka edhe vrojtues.
Në vijën bregdetare të Shëngjinit ku në 3.4 km janë 12 kulla vrojtimi pa asnjë vrojtues plazhi. Grupi i xhirimit të Fiks-it teksa ecin në breg u ndeshën me dy vrojtues me uniforma të cilët thonë se pajisjet i kanë, por në momentin e intervistës ishin në orarin e drekës, pra ora 13:00. Po kush i zëvendëson ata kur janë në pushim, apo njerëzit nuk lahen në atë orar?
Në Velipojë ajo çfarë u vu re ishte fakti kishte 2 kulla vrojtimi në gjithë vijën bregdetare, pa vrojtues. Ndërkohë që Fiksi hasi në dy pika vrojtimi që kishin vetëm një shtyllë me flamujt të kuq, pa vrojtues. Flamujt ishin të grisur dhe sipas pushuesve kishin mbi 20 vjet që ishin në atë gjendje.
Fiks Fare i dërgoi një kërkesë për informacion Agjencisë Kombëtare të Bregdetit ku pyeti në lidhje me respektimin e kushteve të sigurisë që duhet të kenë kullat e vrojtimit, gjithashtu vendosi në dijeni institucionin në lidhje me shkeljet që Fiksi kishte konstatuar në vëzhgim. Agjencia Kombëtare e Bregdetit në përgjigje të saj thotë se informacioni është i paqartë dhe se AKB bazuar në VKM 569/2019, ushtron kontrolle nëpërmjet Agjencive Rajonale të Bregdetit dhe deri në këto momente janë kryer në total 182 inspektime në stacionet e plazhit, ku 29 prej tyre jane riinspektime për verifikimin e korigjimit të shkeljeve të konstatuara përgjatë vijës bregdetare.
Por nga të gjitha këto çfarë shkruan AKB-ja , flasin vetë pamjet që Fiks Fare solli. Pra siguria e pushuesve në plazhe në mëshirë të fatit.