Putin i prerë: Perëndimi është fajtor për luftën në Ukrainë, jo Rusia

0

samitin e Organizatës për Bashkëpunim të Shangait (SCO), të zhvilluar në Tianxhin të Kinës, presidenti rus Vladimir Putin akuzoi sërish Perëndimin për nxitjen e konfliktit në Ukrainë, duke e cilësuar agresionin rus si një pasojë e zhvillimeve të mëparshme.

“Kjo krizë nuk nisi me ndërhyrjen ushtarake të Rusisë, por me një grusht shteti në Ukrainë, i mbështetur nga Perëndimi,” deklaroi Putin, duke iu referuar protestave të Maidanit në vitin 2014, që çuan në rrëzimin e presidentit pro-rus dhe në aneksimin e Krimesë nga Moska. Ai shtoi se tentativat për të afruar Kievin me NATO-n ishin një tjetër faktor i rëndësishëm që, sipas tij, minoi sigurinë ruse.

Putin i bëri komentet në prani të disa prej aleatëve më të rëndësishëm strategjikë: presidentit kinez Xi Jinping, kryeministrit indian Narendra Modi dhe presidentit iranian Masoud Pezeshkian. “E vlerësojmë rolin e Kinës, Indisë dhe partnerëve të tjerë për të kontribuar në zgjidhjen e kësaj krize,” tha ai.

Përmendja e bisedimeve me SHBA-në

Kreu i Kremlinit u ndal edhe te kontaktet e fundit me presidentin amerikan Donald Trump, duke theksuar se marrëveshjet e arritura në gusht, gjatë një takimi në Alaskë, mund të shërbejnë si bazë për një rrugë drejt paqes në Ukrainë. “Kam informuar presidentin Xi për ecurinë e këtyre bisedimeve dhe do të ndaj detaje të tjera në takimet bilaterale,” shtoi Putin.

Sipas tij, një zgjidhje e qëndrueshme mund të arrihet vetëm duke adresuar “shkaqet rrënjësore të krizës”.

SCO si kundërpeshë ndaj Perëndimit

Organizata për Bashkëpunim të Shangait, e udhëhequr nga Kina dhe Rusia, paraqitet nga këto vende si një alternativë politike dhe strategjike ndaj NATO-s dhe ndikimit perëndimor në Euroazi.

Në kuadër të samitit, Putin pritet të zhvillojë takime dypalëshe me presidentët e Turqisë dhe Iranit, si edhe me kryeministrin e Indisë. Ndërkohë, një takim i rëndësishëm me presidentin Xi Jinping është planifikuar për të martën në Pekin.