RUSI- Presidenti rus, Vladimir Putin shpalli një armëpushim në luftimet në frontin ukrainas në 80-vjetorin e Fitores në Luftën e Madhe Patriotike. Sipas Kremlinit armëpushimi do të jetë në fuqi nga mesnata e 7 majit deri në mesnatën e 10 majit.
“Me vendim të Komandantit Suprem të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse, Vladimir Putin, bazuar në kriteret humanitare, gjatë ditëve të 80-vjetorit të Fitores, pala ruse shpall një armëpushim. Gjatë kësaj periudhe, të gjitha veprimet ushtarake do të pushojnë,” tha Kremlini në një deklaratë.
Rusia beson se Ukraina duhet të ndjekë shembullin e saj dhe gjithashtu të shpallë një armëpushim në 80-vjetorin e Fitores.
“Pala ruse deklaron edhe një herë gatishmërinë e saj për bisedime paqeje pa parakushte, që synojnë eliminimin e shkaqeve rrënjësore të krizës ukrainase, si dhe për bashkëpunim konstruktiv me partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në deklaratë.
Në të njëjtën kohë, Kremlini paralajmëroi se nëse ukrainasit nuk respektojnë armëpushimin, atëherë forcat ruse do të përgjigjen.
“Në rast të shkeljes së armëpushimit nga pala ukrainase, Forcat e Armatosura të Federatës Ruse do të përgjigjen në një mënyrë të përshtatshme dhe efektive”, thuhet në deklaratë.