Që Berisha të bëhet i besueshëm!

0

Nga Anisa Bahiti

Prej tashme 2 javësh e më shumë Sali Berisha ka nisur Intifadën e vet kundër krijesës së tij politike, Kryetarit të PD-së Lulzim Basha.

Në të tre takimet e Berishës vihet re entuziazmi dhe aftësia e Berishës për të motivuar pjesëmarrësit në takime. Karizma e tij politike është për t’u admiruar, sigurisht dhe energjia e një njeriu që po i afrohet të 80-ve. Ekzistojnë disa dilema të mëdha të jetës politike të Berishës dhe këtu po flasim, jo për jetën e tij në PD, por për jetën e tij politike dhe Shqipërinë e cila i ka dhënë jo pak Berishës, 2 mandate President dhe 2 mandate Kryeministër.

E para; Berisha duhet të bëjë të qartë çfarë nënkupton me sovranitet? A nuk ishte ai vallë bashkë me partinë e tij që i hoqën çdo formë sovraniteti Shqipërisë që nga 1992 e deri te Reforma e Drejtësisë në vitin 2016? Ç’domethënë sovranitet për z. Berisha kur ka votuar pa përjashtim të gjitha ndryshimet kushtetuese të cilat kanë rrënuar çdo formë sovraniteti deri tek futja e ONM-së në Kushtetutë ?! Kujt t’i besojmë Saliut apo Berishës?
E dyta; Lulzim Basha u rizgjodh në mënyrë të shëmtuar në korrik të këtij viti në krye të PD-së a mundet Sali Berisha t’i tregojë publikut për cilin kandidat votoi dhe pse?!

E treta; A mund t’i shpjegojë Sali Berisha publikut pse në foltoren e tij nuk përmend dot asnjë nga oligarkët vendas? Ai akuzon Ramën dhe Bashën që vjedhin me ta, por nuk guxon ti përmendë emrat atyre.

E katërta; Sali Berisha me Ramën i dhuroi Shqipërisë ndryshimet e famshme Kushtetuese të 2008 në të cilat dhunoi çdo formë demokracie të Shqipërisë, nga ajo brenda partisë tek ajo e shtetit, a mund të thotë sot Sali Berisha. Çfarë mendon për ato ndryshime Kushtetuese?

E pesta dhe e fundi; A mundet sot Sali Berisha t’i thotë rinisë shqiptare pse duhet ta besojë rinia atë ? A nuk ishte po i njëjti Berishë që në mars thoshte se Tom Doshi s’duhet të jetë deputet? A nuk ishte po i njëjti Berishë që i imponoi PD-së Bashën Kryetar? A nuk ishte po i njëjti Berishë që i pasuroi okigarkët vendas? A nuk ishte po i njëjti Berishë që në 2008 i shkatërroi të gjitha partitë e vogla? A nuk ishte po i njëjti Berishë që pasi u vranë 4 shtetas në bulevard në 2011 dhe thirrej tek legjitimiteti i flakës së ambasadorit Arvizu se ai “është” një burrë shteti?!

Që Berisha të bëhet i besueshëm sot duhet të japë shumë përgjigje për të shkuarën që ne t’i besojmë të ardhmen!


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu