Policia e Korçës ka reaguar në lidhje me të shtënat me armë të regjistruara në lagjen nr.16 të qytetit.
Mësohet se personi që ka qëlluar me armë nga ballkoni i banesës së tij, është 71-vjeçari, Edmond Naska.
Sipas policisë së Korçës, 71-vjeçari është një person me probleme mendore.
Shërbimet e policisë kanë krijuar perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuar banorët e zonës.
Njoftimi i policisë:
Sot, rreth orës 10:20, në lagjen nr. 16, dyshohet se shtetasi E. N., 71 vjeç, me probleme mendore, ka qëlluar me armë zjarri nga ballkoni i banesës së tij (në katin e parë të një pallati).
Shërbimet e Policisë vendore kanë ndërhyrë mënjëherë duke krijuar perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuuar banorët e zonës.
Nga të shtënat nuk ka asnjë shtetas të lënduar.
Në drejtim të vendit të ngjarjes po shkojnë shërbimet e Repartit Special RENEA, për të ndërhyrë për neutralizimin e shtetasit E. N., i cili ka mbyllur derën e banesës.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë, me masa sigurie për jetën e tyre, po mbajnë të rrethuar banesën.
Aktualisht nuk ka asnjë rrezik për jetën e banorëve.