Qeveria italiane miraton projektligjin: Emigrantët e parregullt në Itali mund të transferohen në qendrat e pritjes në Shqipëri

0

ITALI – Këshilli i Ministrave i ka dhënë dritën jeshile projektligjit që përmban “dispozita urgjente për të luftuar emigracionin e parregullt”.

Kjo dispozitë parashikon mundësinë e transferimit të emigrantëve të parregullt që ndodhen në qendrat pritese në Itali në objektet e ndërtuara në Shqipëri, me vërtetim nga një magjistrat.

Ministri Tajani njoftoi edhe miratimin e raportit për vendet e sigurta të origjinës, pa ndryshime në krahasim me listën e vitit 2024.

“Krahasuar me përditësimin e vitit 2024, nuk ka ndryshime apo variacione”, nënvizoi ministri Antonio Tajani.

Vendet në listë janë: Shqipëria, Algjeria, Bangladeshi, Bosnja dhe Hercegovina, Kepi Verde, Bregu i Fildishtë, Egjipti, Gambia, Gjeorgjia, Gana, Kosova, Maqedonia e Veriut, Maroku, Mali i Zi, Peruja, Senegali, Serbia, Sri Lanka dhe Tunizia.

“Pasi të dëgjojë Parlamentin, qeveria do të vlerësojë më pas nëse do të miratojë një dekret të ri që modifikon listën e vendeve të sigurta apo do të lërë të pandryshuar listën e paraqitur vjeshtën e kaluar”, vuri në dukje zëvendëskryeministri.

Qeveria italiane miratoi një “dekret shumë të thjeshtë që ndërhyn në ligjin për ratifikimin e protokollit të Shqipërisë, jo në përmbajtjen e protokollit, duke bërë të mundur përdorimin e strukturës ekzistuese edhe për personat e transferuar nga Italia dhe jo vetëm për ata të transferuar pas procedurave të shpëtimit në det”.

Këtë e theksoi ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, duke shtuar se “kjo na lejon të riaktivizojmë menjëherë atë qendër që nuk i humb funksionet e planifikuara dhe nuk deformohet”, duke folur për qendrat pritese apo kampet e ngritura në Shqipëri.