Qyteti modern i ngritur pranë Trojës mitike

0

Një kalë i madh prej druri qëndron në qendër të Çanakkale-s, një qytet i vogël në jugperëndim të Stambollit në Turqi. Ai është një model i kalit mitologjik të Trojës, që u përdor në filmin e vitit 2004 “Troy” dhe iu dhurua më pas qytetit.

Çanakkale është shumë pranë me sitin arkeologjik të qytetit antik të Trojës. Statuja, amfora dhe elemente të tjera që lidhen me kulturën trojane janë të shpërndara nëpër të gjithë qytetin. Mes këtyre dy qytetërimeve ndihen edhe gjurmët e luftërave të përgjakshme. Nga Lufta e famshme e Trojës, e deri te betejat e tmerrshme të Luftës së Parë Botërore që vranë me mijëra njerëz.

Qyteti i Çanakkale-s në vetvete është një vend i gjallë dhe shumë i bukur. Tragetet nuk ndalojnë së lundruari, plot me vizitorë që eksplorojnë rrugët me kalldrëm të lagjeve të vjetra. Kafenetë, baret, dyqanet dhe qebaptoret janë çdo ditë mbushur me turistë dhe studentë, pasi qyteti është gjithashtu shtëpia e një numri të madh universitetesh dhe konviktesh. Në netët e nxehta të verës, shitësit ambulantë pushtojnë pedonalen duke u rreshtuar nën hijen e kalit stoik prej druri. Këto dhe shumë atraksione të tjera janë arsye të mjaftueshme për të vizituar qytetin, por më e famshmja është padyshim zona e Trojës, vetëm 20 minuta larg.

Një qytet legjendar

Sipas mitit, Lufta e Trojës ishte një konflikt dhjetëvjeçar midis popullit të Trojës dhe grekëve mikenas që ndodhi rreth 3000 vjet më parë. Lufta përfundoi kur grekët, me këshillën e Odisesë, ndërtuan një kalë të madh prej druri, u fshehën brenda tij dhe më pas pritën që trojanët ta dërgonin brenda mureve të qytetit. Pasi hynë brenda, grekët dolën nga kali dhe shkatërruan Trojën.

Sot po të vizitoni Trojën do të shihni edhe një model të dytë të Kalit të Trojës në hyrje. Prej andej, nis një shteg i gjatë, ku mund të admironi rrugët dhe muret e lashta prej guri të Trojës, shumë prej të cilave janë ruajtur ose restauruar në mënyrë mbresëlënëse. Në disa pika mund të shihen ujërat e detit Egje. Nëse mitet janë të vërteta, pikërisht në këtë shtrirje midis mureve të qytetit dhe detit, ndodhi rrethimi i Trojës.

Një vend që të gjithë donin ta pushtonin

Troja qëndronte në një pozicion gjeografik perfekt. Kontrollonte hyrjen në ngushticën e Dardaneleve, që lidh Egjeun me Detin Marmara dhe Detin e Zi, si dhe ishte e vendosur në një rrugëkalim të lehtë tokësor, midis Evropës Kontinentale dhe Azisë. Për shkak të kësaj, kishte një konkurrencë të ashpër midis vendeve që donin ta kontrollonin atë.  Pra ky ka qenë një udhëkryq i rëndësishëm në rajon, i shkelur nga mbretër dhe perandorë duke përfshirë Kserksin, Aleksandrin e Madh dhe perandorin romak Augustus. Megjithatë, ajo që ne sot e quajmë Troja është në fakt një vend ku kanë jetuar gjatë mijëvjeçarëve popuj dhe qytetërime të shumta.

Duke ecur në gjurmët e Akilit

Pavarësisht nëse mitet dhe legjendat për Trojën janë apo jo të vërteta, një vizitë në Tojë do t’ju ngjallë ndjesinë se po jetoni epikat homerike. Ju mund të shikoni muret ku, sipas legjendës, Akili luftoi me Hektorin. Ju do të ecni mbi gurë që ndoshta janë shkelur nga disa prej personazheve kryesore të mitologjisë: Agamemnoni dhe Priami, Helena dhe Kasandra, Paridi etj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu