Rajmonda Bulku flet pas vdekjes së Edi Luarasit: Njeri fisnik si rolet që luajti

0

TIRANË – Për ndarjen nga keta të Edi Luarasit, ikonës së ekranit dhe Teatrit shqiptar ka dhënë homazhet e saj edhe aktorja Rajmonda Bulku e cila ka treguar se edhe kur Edi ishte persekutuar dhe punonte rrobaqepëse sërish nuk ju zbeh shkëlqimi i artistes.

Raimonda Bulku ka treguar se Edi Luarasin e kishte takuar fillimisht si rrobaqepëse, jo në moshë të re. Ajo tregon se Edi ka vuajtur shumë dhe ka mbajtur mbi supe një barrë të jashtëzakonshme.

“Unë nuk e kam njohur dot në moshë të re. Këta ishin të dënuar, ishin përzënë nga arti, ishin persekutuar, ishin sakatuar. Kur e kam parë për herë të parë, e kam parë që ajo qepte dhe që ishte një figurë e jashtëzakonshme. E kuptoje menjëherë, kudo që ta shihje Edin që ajo ishte një figurë arti, me atë portret aq interesant dhe aq modern dhe në kohën që e kam njohur unë ishte rrobaqepëse, por qepte në mënyrë të shkëlqyer. Edhe aty ishte një artiste. Mbajti në kurriz një barrë të jashtëzakonshme, të dhimbshme”, tha Bulku.

Bulku ka treguar se ka ka punuar me Edin dhe se ishte një njeri shumë i hareshëm dhe se sillte vetëm gëzim. Ajo ka treguar se Edi ishte njeri shumë optimist dhe se kishte një shpirt të bukur artisteje.

“Pas viteve ’90 kam punuar me Edin, e kam pasur kolege, kemi punuar në shfaqjet e Mihallaqit, kemi qenë bashkë në punë, artistë të mrekullueshëm. Të kulturuar, të talentuar. Edi ishte e kundërta e Mihallaqit, në qoftë se ai ishte burrë që donte të bënte vetëm filozofi, Edi ishte që donte vetëm të ishte e hareshme, të sillte gëzim. Kishte një optimizëm brenda vetes së saj, edhe në punë, edhe në jetë sa thoshe sa bukur e ka dhe sa bukuri në shpirtin e saj prej artisti. Vjen njëherë në teatër dhe thotë, jam gjendur njëherë përballë hetuesit, hetuesit të saj që ajo e di se çfarë mund të ketë ndodhur dhe ne të gjithë thamë çfarë i bëre, i re ndonjë shpullë, apo ku di unë, ndonjë grusht apo e shave? Dhe Edi tha jo, s’munda, e pashë, e pashë dhe ika. Kjo ishte Edi, fisnikëria e Edit ishte e jashtëzakonshme, kalonte masat e një njeriu normal”, tha ajo.

Për Raimonda Bulkun edhe sot, Edi i ngjante një prej personazheve të saj. Ajo e krahason Edin me personazhin “Dama plakë” dhe thotë se tani që iku ajo është njësoj madhështore dhe pa urrejtje si personazhi dhe ishte aq e mirë edhe tani. Ajo tha se Edi pranoi fatin e familjes pa u ankuar dhe rriti dy fëmijë të mrekullueshëm.

“Ajo punoi dhe erdhi fuqishëm dhe pas ’90. Edhe sot sa e pashë thashë uau kjo është ‘Dama plakë’, (titulli i një prej teatrove ku ka luajtur). Nëse keni parasysh shfaqjen e Gëzim Kames, sepse ai e risolli për Edi Luarasin atë shfaqje, ajo është tani sot ajo ashtu e shtrirë, në atë madhështinë e vet, pa urrejtje, ajo është e mirë dhe tani. Edi ishte e para nga këto lloj garash që nuk braktisi burrin, nuk braktisi asgjë, por iu nënshtrua dënimit të familjes së saj, rriti dy fëmijë të mrekullueshëm dhe nuk foli kurrë keq dhe ishte një grua që thoshte gjithmonë duhet të shohim përpara, asnjëherë mos kthe kokën pas”, u shpreh aktorja Raimonda Bulku.

Edi Luarasi është ndarë nga jeta në moshën 81 vjeçare. Ajo ka mbyllur sytë përgjithmonë pasditen e djeshme, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë, ndërsa sot kolegët i kanë dhënë lamtumirën e fundit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu