Rama: Jetojmë në një moment mjaft të ndërlikuar, veçanërisht në Evropë

0

Në Tiranë ka vazhduar në ditën e dytë forumi me temë “Nga njohuria në veprim: Ripërcaktimi i dialogut në rajonin Euro-Mesdhetar”, ndërkohë pjesë ishin edhe zyrtarë të lartë dhe ish-zyrtarë nga vende të ndryshme, raporton Anadolu.

Në hapje të forumit, mbajti një fjalë përshëndetëse edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili falënderoi organizatorët që kanë zgjedhur Tiranën për të organizuar këtë forum dhe për të folur për Mesdheun.

– Rama: Jetojmë në një moment mjaft të ndërlikuar, veçanërisht në Evropë

Kryeministri Rama u shpreh se ka hapësirë dhe ka vend edhe për vende të vogla për të kontribuar dhe për të luajtur një rol në mënyrë modeste, por sipas tij me krenari.

“Është e qartë se nuk jetojmë në momentin e përsosur. Ne jetojmë në një moment mjaft të ndërlikuar, veçanërisht në Evropë, diçka e pabesueshme po ndodh nën mbikëqyrjen tonë dhe madje është bërë normale. Dialogu ka gjithnjë e më pak mbështetës dhe gjithnjë e më shumë skeptikë në Evropë, gjë që është çmenduri”, u shpreh Rama.

Rama e konsideroi forumin një hapësirë dialogu dhe një hapësirë mundësish, sipas tij, për të kuptuar më mirë njëri-tjetrin në Mesdhe, i cili shtoi ai “është kaq kompleks dhe i cili është kaq i larmishëm”. Ai tha se Mesdheu ka kaq shumë nevojë për shembuj se pse dhe si diversiteti mund të funksionojë shumë më mirë sesa homogjeniteti.

“Mesdheu duhet të dëgjohet dhe duhet të jetohet përmes të kuptuarit, pikërisht sepse është ndoshta zona më e larmishme e botës sonë dhe për shkak të kësaj ndoshta edhe më e ndërlikuara”, tha Rama.

– Ish-ministri turk për Çështjet e BE-së, Egeman Bağış: Duhet ta shndërrojmë BE-në në një projekt global

Gjatë forumit u mbajt edhe paneli me temë “Ndërlidhja e kulturave dhe feve në rajonin Euro-Mesdhetar: Duke reflektuar mbi UNAOC-në dy dekada dialogu për njerëzimin”, ku folës ishin ish-ministri turk për Çështjet e Bashkimit Evropian, Egeman Bağış, Përfaqësuesi i Lartë për Aleancën e Qytetërimeve të Kombeve të Bashkuara (UNAOC) dhe i dërguar i Posaçëm i OKB-së për luftën kundër Islamofobisë, Miguel Angel Moratinos, ish-kryeministri grek, George Andreas Papandreu, ish-kryesuesi i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Mladen Ivaniq dhe Michele Capasso, President i Fondacionit Mesdhetar.

Bağış theksoi se mendon se Bashkimi Evropian si institucion, pavarësisht të gjitha problemeve që ka, është ende projekti më i madh i paqes në historinë e njerëzimit.

Ai tha se gjithçka ka të bëjë me udhëheqësit dhe politikanët që kanë vizionin për të menduar për brezin e ardhshëm që mund të krijojë paqe, duke shtuar se mendon kështu sepse “asnjë shtet anëtar (i BE-së) nuk ka qëlluar asnjë plumb të vetëm në një shtet tjetër anëtar”.

“Ne duhet ta shndërrojmë këtë projekt kontinental (BE-në) në një projekt global. Kjo është arsyeja pse Turqia, vendi im, që nga viti 1958 po përpiqet të bashkohet me BE-në, sepse mendojmë se mund të kontribuojmë. Shikoni të gjitha krizat në të gjithë botën sot. Ne jemi një nga vendet e pakta ku të gjitha palët në konflikt mund të bashkohen dhe të negociojnë dhe të flasin. Mund t’i bashkojmë ekipet ruse përballë ekipeve ukrainase, por të paktën të fillojmë dialogun. Por kur nuk ke dialog, atëherë ka viktima, gjë që nuk mund të korrigjohet”, tha Bağış.

Duke folur edhe për luftën e Izraelit ndaj Palestinës, Bağış tha se “Sot, askush në këtë panel nuk ka problem me të drejtën e Izraelit për të ekzistuar. Por të gjithë kemi probleme me mënyrën e (kryeministrit izraelit, Benjamin) Netanyahu, për të shfrytëzuar pushtetet e tij vetëm për ta mbajtur veten larg çështjeve të tij dhe për të zgjatur karrierën e tij. Është koha për t’i thënë jo kësaj. Dhe nuk kam dyshim, do të vijë një ditë kur do ta shohim edhe Netanyahun të ndiqet penalisht”.

Duke folur për marrëdhëniet mes Turqisë dhe Greqisë, Bağış tha se po ka probleme, debate dhe pikëpamje të ndryshme, por shtoi se “kur kemi një krizë, jemi të parët që i dalim në ndihmë njëri-tjetrit”.

Ai tha se Aleanca e Qytetërimeve sot është bërë një nga mjetet më të rëndësishme të Kombeve të Bashkuara. “Dhe ne po luftojmë kundër ksenofobisë, po luftojmë kundër të gjitha formave të ndryshme të diskriminimit, racizmit dhe islamofobisë”, tha ish-ministri turk, duke shtuar se duhet ta mbajnë gjallë frymën euro-mesdhetare.

– “Në një botë luftërash siç jemi sot, nuk e dëgjoj zërin e paqes”

Moratinos tha se 30 vjet më parë kishin ëndërr për të pasur një hapësirë euro-mesdhetare plot liri, barazi, drejtësi dhe prosperitet. “Në një botë luftërash siç jemi sot, nuk e dëgjoj zërin e paqes. Nuk i dëgjoj të rinjtë që dalin në rrugë për t’u kërkuar palëve të interesuara, për të kërkuar paqe. Paqe në Gaza, paqe në Ukrainë, paqe në Iran dhe Izrael. Paqja është e domosdoshme”, tha Moratinos.

Aleanca e Qytetërimeve është një iniciativë politike e bashkëfinancuar nga Turqia dhe Spanja pasi u themelua në vitin 2005 nga ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan.

Ky aktivitetet treditor që filloi më 18 qershor organizohet nën kujdesin e Fondacionit Anna Lindh (The Anna Lindh Foundation), në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Bashkinë e Tiranës, Aleancës së Qytetërimeve dhe institucione të tjera.

Pjesë e forumit janë zyrtarë, politikanë, përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë të fushave të ndryshme dhe studiues nga vende të ndryshme, që diskutojnë mbi temën e forumit në disa penale.