TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se vitin e ardhshëm qeveria do i rrisë pagat pedagogëve, bazuar në performancën dhe kontributet e tyre. Në fjalën eqë mbajti në ceremoninë e 65-vjetorit të Universitetit të Tiranës, Rama u shpreh se pagat e tyre do të rriten nga vetë Universiteti, por do të kontribuojë edhe qeveria. Kreu i qeverisë tha se po mendon për një reform rishpërndarëse për universitetet dhe shtoi se duhet riparë numri i tyre në mënyrë që vendet e tjera të mos kenë gjithmonë e më pak studentët, shumica e të cilëve ‘dynden’ në Tiranë.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Mirëmbrëma të gjithëve, mua më kanë lënë për në fund, meqë flas shkurt. E ndiej dhimbjen e atyre që janë në këmbë, që kur ka filluar kjo natë e gjatë. Do bëj çmos që t’i shmangem fjalëve të shkruara për të thënë disa pak gjëra, pa hyrë në botën e Erionit për botën e sheshtë apo për çipet në vaksinë. Për fat të keq apo të mirë, nuk jemi vetëm në këtë, e mban Amerika flamurin e njerëzve që besojnë në budallallëqe, ndërkohë që numri i njerëzve që sot në botë besojnë në teoritë e konspiracionit është rritur, qysh me aksesin e rritur në botën e informacionit, por kjo është një temë që nuk e zgjidh dot as qeveria as universiteti, bashkia mund ta zgjidhë jam i bindur. Kemi shumë besim që me votën që do i japim Erionit do kemi më pak njerëz që besojnë se bota është e sheshtë. Së pari urime për këtë përvjetor. Në fakt jetojmë në një botë të çuditshme sepse ky është Universiteti i parë i Tiranës dhe i Shqipërisë e feston 65-vjetorin, para disa ditësh unë isha në 70-vjetorin e Universitetit të Mjekësisë. Universiteti i Mjekësisë nuk është i vetmi që feston 70-vjetorin, megjithëse mua më rezulton se ka lindur pas vitit 90. Ka dhe të tjera universitete që më kanë nisur ftesa për 70-vjetorin. Ky universitet është i pari e njëkohësisht më i riu, kjo është më e komplikuar se sa teoria se bota e sheshtë. Duke qenë më i riu, ka dhe kuadrin më legjendar, profesor Ismetin që është mbi 100 vjeç. Mendoj dhe besoj se ne kemi shumë universitete. Për të pasur kaq shumë studentë, na duhet të mendojmë seriozisht për një reformë të re me qendër graviteti universitetin e Tiranës në mënyrë që të mos e jetojmë me indiferencë ose me qetësinë e incercisë e agoninë e universiteteve në territore të tjera të vendit që kanë gjithmonë e më pak studentë. Ndërkohë që universiteti i Tiranës nuk ka asnjë problem në numrin e studentëve. Për të menduar seriozisht në rankimin e universiteteve ndërkombëtare, duhet të plotësojmë kushte shumë të thjeshta teknike. Për shembull universiteti i Tiranës nuk mund të rankohet siç duhet sepse i mungon mjekësia. Po flas dhe për pagat, po shtoj dhe dy fjalë sepse është bërë një debat i konsiderueshëm. U bë rritja e nevojshme e pagave për të arritur atë objektiv qeë kishim dhe ndërkohë po përgatitemi bashkë me forumin që kemi krijuar me rekotrët për të parë disa konkluzione të një raporti mbi situatën aktuale dhe ku duam të shkojë universiteti në 2030-tën. Po përgatitemi të diferencojmë pagat në kuptimin e diferencimit të kontributeve të qeverisë dhe buxhetit për të vlerësuar më shumë cilësinë, për t’u dhënë më shumë mundësi atyre që japin më shumë. Që prej vitit të ardhshëm do japim një shembull sesi do bëhet, që do thotë se do shihet rritja e pagave për pedagogët, por gjysma tjetër e fjalisë është që kjo rritje nuk do jetë uniforme. Do bazohet në kontributet e pedagogëve dhe performancën e tij.