Rama publikon videon me Ëngjëll Agaçin dhe ironizon Berishën: U kthye nga “arratia”

0

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video këtë të martë me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave Ëngjëll Agaçi.

Për Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë u hodhën akuza nga lideri i opozitës Sali Berisha se është arratisur nga vendi.

Duke përgënjeshtruar akuzat, Rama ka zbuluar se Agaçi ndodhej në Itali ku po merrte shërbime mjekësore, ndërsa këtë të martë duket se është kthyer në Shqipëri.

“U ktheva nga Berlini dhe gjeta këtu një të kthyer tjetër nga arratia”, thotë Rama, ndërsa përkrah tij Ëngjëll Agaçi shprehet se i falënderon të gjithë për mbështetjen.

Këtu ndërhyri Rama duke thënë se “nuk duhen falenderuar të gjithë”, se ka nga ata që kanë aluduar e hedhur akuza mbi Agaçin.

Ndërsa në shkrimin shoqërues të videos lexohet:

“Ky është Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, të cilin Bufi i Kënetës e shpalli arratiak në kërkim nga drejtësia dhe e gjithë aradheja kënetore kanal më kanal e portal më portal, ia telendisi familjen e të afërmit, duke batërdisur publikun me kua-kua-kuara të ububushme, teksa tjetri ishte në fije të perit në reanimacion me frymëmarrje të drejtuar, pas një operacioni në zemër që pasoi nga një ndalim i funksionit të mushkërive”.