Kryeministri Edi Rama ka kritikuar opozitën dhe mediat gjatë një deklarate nga Lushnjë, duke i akuzuar për keqinterpretim të qëllimshëm të deklaratave të tij.
Rama u shpreh se, sipas tij, ka një përpjekje të vazhdueshme për të nxjerrë jashtë kontekstit qëndrimet e qeverisë, në kuadër të asaj që ai e cilësoi si një “luftë tribale” dhe jo politike.
Ai ndaloi edhe te çështja e mbështetjes për fermerët, duke theksuar se skema e furnizimit me naftë nuk ka qenë e përsosur, por sipas tij ka synuar të shmangë abuzimet.
Sipas Ramës, jo të gjithë përfituesit e mëparshëm e përdornin naftën për qëllime bujqësore, çka ka sjellë nevojën për rishikim të skemës dhe vendosjen e kritereve më të qarta.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë debatesh të forta politike mbi mbështetjen për sektorin bujqësor dhe rritjen e çmimeve në vend.
“Është e neveritshme se si, për hir të një lufte të verbër, as politike, por tribale, angazhohet një lugë e tërë tenxheresh për ta nxjerrë nga konteksti atë që themi. Ndërkohë që është e qartë për ata që janë fermerë, se ajo që kemi bërë ne është shumë më shumë se “jepni naftë”. Jo të gjithë e meritonin naftën dhe e përdornin për punë bujqësie. Skema e ndarjes ishte një skemë që kishte problematikat e veta,” tha Rama.





