VLORË- Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar fermerëve që të shikojnë se çfarë nuk funksionon tek ata që nuk u shiten produktet sepse ka të tjerë që u shiten dhe marrin fitime prej tyre. I ndodhur në Vlorë krah komisionerit për zgjerimin Oliver Varhelyi, Rama tha se Peshkopia eksportin dhe nxjerr fitime, ndërsa në Jug gjen produkte që s’i do njeri. Problemi, sipas Ramës qëndron tek produktet dhe tek vetë fermerët, që sipas tij nuk duhet të presin t’ua paguajë shteti të gjitha dëmet që u bëhen për stokun e mbetur e prodhimet që hidhen në rrugë.
“Ne jemi në një ekonomi tregu dhe pa e përkrahur konstatimin që mendoj se është minimalisht i nxituar lidhur me sezonin se ne kemi shifrat e vizitorëve të huaj që hyjnë në vendin tonë. Nuk flasim këtu për shqiptarë që hyjë në periudhë pushimesh, por për vizitorë të huaj, që numri për këtë vit është shumë herë më i lartë se vitet e shkuara. Nëse ka një problem të vërtetë me çmimet e larta kjo është për t’u parë në fund. Sigurisht që nëse dikush vendos çmim të lartë dhe në fund nuk i vjen njeri, ky është një dëm që vetes së vetë ia paguan vetë, mos të presë t’ia paguajë shteti, ndaj e kemi zgjedhur këtë treg. Në një rajon ku ka destinacione të afërta konkurrente, duhet menduar mirë kur rriten çmimet. Po qe kështu ky sezon do të jetë një mësim i madh për sezonin tjetër. Kështu mësojnë dhe maturohen vendet që kanë një eksperiencë më të madhe se ne. Mos të harrojmë se ku ndodhemi në Mesdhe, Kemi Greqinë afër, Kroacinë, Turqinë, Malin e Zi aty sipër. Kemi edhe Italinë, por që është një nivel tjetër. Mos të mendojmë se meqë iu hap nami Shqipërisë si një magji që duhet zbuluar, hajde se po i biem me top. Ne kemi qenë një vend ku turistët e huaj numëroheshin me gishtat e dorës. Ishte një vend ku nuk ktheje dot kokën për të bërë një fotografi, përveçse të ngjiteshe në mal, ose të zhyteshe në det. Lungomarja e Vlorës ishte një shteg dhish ku kaloje përmes jashtëqitjeve të deleve dhe kishte vetëm ndërtime pa leje, me ujërat e zeza që merrnin rrugët. Sot është shumë më mirë, por konkurrenca në këtë treg është shumë e madhe. Është njësoj si bujqësia, nuk e di a i patë sot shifrat e eksporteve që janë të admirueshme në një kohë lufte globale. Kjo është rezultat i asaj pjesë të konsiderueshme të komunitetit të fermerëve që ka mësuar si të konkurrojë në tregjet e huaja. Një pjesë tjetër po kërkon akoma kohë për të mësuar dhe del në rrugë me prodhime që thotë do ti hedhim se nuk na i ble njeri. Nëse nuk t’i blen njeri duhet të shohësh ti ku e ke problemin. Nuk kanë ndaluar as shqiptarët as të huajt së ngrëni qershi. Ka qershi që ikin në tregjet e huaja dhe sjellin të ardhura për ata fermerë në Peshkopi, ka qershi në jug që nuk i do njeri. Atëherë ku është problemi? Duhet të adaptohemi me konkurrencën, të shohim,”- tha Rama ndër të tjera.
Rama ishte sot në Vlorë me komisionerin Varhelyi te cilin e prezantoi me ByPass-in e Vlorës që u inagurua një javë më parë dhe lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë dhe që prej kësaj të enjte është i hapur për të gjitha automjetet. Rruga e re ka një gjatësi prej 29 kilometrash dhe mund të përshkohet në vetëm 30 minuta. Përfundimi i punimeve në këtë aks, do të plotësohet me rrugën Orikum-Dukat dhe më pas me tunelin e Llogarasë, investime që janë në proces.