Raporti mjeko-ligjor: Thithja e avullit të nxehtë shkaktoi vdekjen e Donika Gocajt në New York

0

Janë publikuar detaje nga raporti mjeko-ligjor mbi vdekjen e Donika Gocajt, 56-vjeçares shqiptare me origjinë nga Shkodra, e cila humbi jetën pasi ra në një pusetë të hapur në Manhattan, mbrëmjen e 19 majit.

Sipas raportit, shkaku i vdekjes ka qenë thithja e avullit të nxehtë nga puseta, e kombinuar me traumat e marra gjatë rënies.

Ekspertët mjeko-ligjorë theksojnë se dëmtimi fatal është shkaktuar kryesisht nga dëmtimi i rëndë i mushkërive si pasojë e avullit, i cili ka penguar furnizimin normal të organizmit me oksigjen.

“Ndoshta dëmtimi më i dëmshëm ishte thithja e avullit… kur alveolat dëmtohen, ato nuk mund të transportojnë më oksigjen”, u shpreh Barbara Butcher, ish-shefe e stafit në zyrën e mjekut ligjor të New York-ut.

Ngjarja ndodhi pranë Fifth Avenue, rreth orës 23:19, kur viktima, sapo zbriti nga automjeti tip “Mercedes Benz”, bëri një hap pas dhe ra në pusetën e hapur.

Sipas dëshmitarëve, qytetarët në vendngjarje tentuan ta ndihmonin, por ndërhyrja rezultoi e pamundur për shkak të thellësisë së pusetës dhe temperaturave të larta brenda saj.

Zjarrfikësit ndërhynë më pas dhe arritën ta nxirrnin nga puseta, por 56-vjeçarja u gjet pa shenja jete dhe u konfirmua e vdekur në spital.

Raportohet se në zonën e ngjarjes mungonin tabelat paralajmëruese dhe barrierat mbrojtëse rreth pusetës së hapur.