Disa ditë më parë, Kuvendi rrëzoi raportin e inceneratorëve përgatitur nga Jorida Tabaku me 84 vota. Që do të thotë se kundër këtij raporti kanë votuar dhe deputetë të opozitës, sa kohë që 76 deputetë në Kuvend votuan pro raportit tjetër të hartuar nga PS-ja për inceneratorët.
Për rastin në fjalë ka reaguar edhe Nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku e cila shpreh keqardhjen për votat e opozitës në mbështetje të Edi Ramës.
“Unë nuk shprehem dot se janë të shitur, u shpreh Tabaku, nuk e kam këtë edukim poliitk. Ato mund të kishin shmangur votën duke abstenuar nëse unë jam treguar jo korrekte me raportin duke mos ua dhënë. Por ato zgjodhën të bashkojnë votën me Edi Ramën. Ky raport vërteton se ne ishim në të drejtë”, shprehet Tabaku.
Çështja e inceneratorëve u përcaktua nga deputetët e opozitës si “afera më e madhe korruptive” ku sipas tyre ishin përfshirë ish ministra, ministra aktualë dhe vetë kryeministri Edi Rama.
Gjatë zhvillimit të seancave të këtij komisioni janë thirrur për të dëshmuar, kryebashkiakë bashkish, këshilltarë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj dhe deri tek kryeministri Edi Rama.
Pavarësisht nëse ky raport votohet apo jo, Tabaku ka deklaruar më herët në deklaratat e saj se gjetjet e kryera gjatë komisionit hetimor do t’i paraqiteshin Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për veprime të mëtejshme hetimore.