Ish-ministrja e Arsimit, Mirela Karabina në studion e emisionit “Open” ka komentuar rezultatet e PISA 2022, sipas të cilave Shqipëria u rendit shumë ulët sa i përket nivelit të nxënësve dhe cilësisë së arsimit.
Karabina u shpreh se këto rezultate janë të pritshme pasi sipas saj pasqyrojnë gjendjen në të cilën ështê ‘katandisur ‘arsimi në Shqipëri.
Sipas saj shumë programe të mësuesisë janë lënë pas dore dhe aty shkojnë studentë që thjesht duan një diplomë, ndërsa mësuesit nuk trajnohen dhe nuk mbështeten për ndryshimet që ndodhin.
“Rezultatet janë të pritshme pasi janë rezultat i gjendjes në të cilën është katandisur arsimi. Ka një shpërfillje të përgatitjes së mësuesve. Shumë programe të mësuesisë janë lënë pas dore dhe aty shkojnë studentë që thjesht duan një diplomë. Mësuesit nuk trajnohen dhe nuk mbështeten për ndryshimet që ndodhin.Arsimi kërkon të mendohesh mirë kur futesh dhe atë që do aplikosh duhet ta dish ku fillon dhe mbaron. Vazhdojmë po ashtu të kemi një të nxënë riprodhuese dhe mekanike, nuk e çojmë nxënësin në nivelin e lartë të të menduarit.Gjithashtu mungon infrastruktura digjitale. Nuk është në praktikën e nxënësve kjo gjë. Ne kemi kaluar në disa teste Pisa dhe kemi bërë në vitin 2001 testin e parë. Asnjëherë nuk jemi ndalur dhe nuk kemi ndërtuar një strategji për përmirësimin e këtij aspekti”, u shpreh ajo.