Reagon sërish Rama: Të gjitha kabinat e “fshatit turistik” të kriminelit që plagosi Thethin, do i marrë shteti

0

Kryeministri Edi Rama ka publikuar sërish në Instagram pamje nga operacioni i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit në Theth, ku po shemben disa ndërtesa të ndërtuara pa leje.

“Natyrisht që të gjitha kabinat e “fshatit turistik” të kriminelit që plagosi Thethin do i marrë shteti dhe skuadra e Bashkisë Shkodër nuk do të largohet nga Thethi pa e shëruar zemrën e qytezës magjike, ndërkohë që Ministria e Drejtësisë po përgatit denoncimin e skandalit “Gjeli” në Këshillin e Lartë të Prokurorisë”, shkruan Rama në Instagram.

Kryeministri akuzoi më herët edhe organet e drejtësisë, konkretisht prokuroren Elsa Gjeli, se ka refuzuar të hetojë rastin.

“Një krim i shumëfishtë për të cilin një prokurore e quajtur Elsa Gjeli ka refuzuar të hapë çështjen, duke hedhur në kosh denoncimin e Policisë së Shtetit”.

Ndërsa Prokuroria e Shkodrës sqaroi opinionin publik duke theksuar se vendimi i prokurores Gjeli është marrë bazuar në Kodin Penal, ku procedimi penal “nuk mund të fillojë kur fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale ose kur del qartë që fakti nuk ekziston”.

Sipas prokurorisë së Shkodrës, është konstatuar se faktet e referuara nga Policia e Shtetit nuk përbënin ndërtim të paligjshëm. Organi i akuzës thotë se strukturat e konstatuara që janë referuar nga policia kanë qenë kontejnerë të përkohshëm pa themele, të vendosura mbi pllaka guri.

“Si të tilla nuk përmbushin kriteret për të konsideruar objekt ndërtimi sipas standardeve të përcaktuara në ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar”, njoftoi prokuroria.

Po ashtu, sipas prokurorisë, policia në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes është shprehur se kontejnerët nuk janë vendosur mbi bazamente betoni, por kanë qenë të vendosura mbi rrasa guri të prera.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Edi Rama (@ediramaal)