Reformë, siguri dhe humanizëm: Klevis Qose, modeli i ri i drejtimit në sistemin e burgjeve

0

 

Klevis Qose, Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, përfaqëson një nga figurat e reja drejtuese në administratën publike shqiptare, duke sjellë një qasje bashkëkohore dhe reformuese në sistemin penitenciar. Me një profil të konsoliduar profesional dhe seriozitet në menaxhim, ai ka ndërtuar imazhin e një drejtuesi të vendosur për të rritur standardet dhe për ta afruar institucionin me praktikat më të mira evropiane.

Karrierën e tij e ka nisur në Policinë e Shtetit, ku fitoi eksperiencën e parë në strukturat e sigurisë dhe rendit publik. Më pas, në krye të Shërbimit të Provës, ai kontribuoi në forcimin institucional dhe në rritjen e rolit të këtij mekanizmi alternativ në sistemin e drejtësisë penale. Eksperienca në poste drejtuese brenda sistemit penitenciar kulmoi me emërimin e tij si Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve në mars të vitit 2024 duke marrë përgjegjësinë për drejtimin e një prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë në vend.

Në krye të këtij institucioni, Qose ka vendosur theksin te forcimi i sigurisë, përmirësimi i kushteve në institucionet e vuajtjes së dënimit dhe rritja e transparencës institucionale. Një nga arritjet më domethënëse ka qenë pajisja, për herë të parë, me siguracion jete dhe shëndeti për stafin civil dhe policor të sistemit penitenciar, një hap konkret në mbështetje dhe vlerësim të punës së tyre në një sektor me risk të lartë.

Një tjetër investim strategjik nën drejtimin e tij është modernizimi i sistemit shëndetësor në spitalin e burgjeve, përmes ngritjes së laboratorëve të pajisur me teknologji bashkëkohore dhe furnizimit me pajisje të reja mjekësore. Këto ndërhyrje kanë përmirësuar ndjeshëm cilësinë e shërbimit për personat e dënuar, duke afruar standardet me praktikat evropiane në fushën e trajtimit dhe kujdesit shëndetësor.

Paralelisht, ai ka promovuar programe rehabilitimi, edukimi profesional dhe riintegrimi social, me fokus rikthimin e personave që vuajnë dënimin në shoqëri si qytetarë të përgjegjshëm dhe të integruar. Bashkëpunimi me partnerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë ka qenë një tjetër shtyllë e rëndësishme e punës së tij, duke synuar përmirësimin e vazhdueshëm të standardeve dhe rritjen e besueshmërisë së sistemit.

Me vizion të qartë, disiplinë institucionale dhe përkushtim ndaj reformës, Klevis Qose përfaqëson modelin e drejtuesit modern në administratën publike shqiptare , një profil që synon ndërtimin e një sistemi penitenciar më të sigurt, më human dhe më funksional për shtetin dhe qytetarët.

Fokusimi në trajnim dhe qasje njerëzore

Klevis Qose ka mbështetur iniciativa për trajnim sipas standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, duke inkurajuar zhvillimin e kapaciteteve humane dhe empatike të stafit të burgjeve përmes bashkëpunimit me OSBE-në. Qëllimi është që trajtimi i të burgosurve të shkojë përtej sigurimit teknik dhe të adresojë nevojat humane dhe dinjitetin e tyre.  

Rehabilitim dhe programe angazhimi

Nën drejtimin e tij u miratua dhe u promovua nisma për zbatimin e programit “Shkolla – Aftësitë për Jetën”, një qasje rehabilituese e bazuar në Terapinë Kognitive Biheviorale që synon të ndryshojë sjelljen e të dënuarve përmes edukimit dhe zhvillimit personal.  

Ai ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me autoritete vendore për të krijuar mundësi punësimi për personat pas daljes nga burgu, duke i ndihmuar të ndërtojnë një jetë të pavarur dhe të qëndrueshme në komunitet, mass që minizon rikthimin në krim.  

Përkushtim ndaj mirëqenies së stafit

Ka promovuar programe për mbështetjen psikosociale të punonjësve të sistemit penitenciar, duke përfshirë psikologë të specializuar që ndihmojnë stafin civil dhe policor të përballojë stresin e lartë emocional të punës në burgje. Kjo nismë synon një mjedis pune më të shëndetshëm dhe më mbështetës.  

Përfshirja e komuniteteve fetare

Ka organizuar edhe takime ndërfetarë brenda sistemit penitenciar për të diskutuar rëndësinë e rolit shpirtëror në rehabilitimin e të dënuarve një qasje që synon ta ndihmojë personin e burgosur të ruajë shpresën dhe dinjitetin e tij shpirtëror.