Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi sot se nuk do të presë në takim homologun e tij Edi Rama, teksa kreu i qeverisë shqiptare do të ndërmarrë një “tur ballkanik” duke nisur nga Prishtina.
Kurti tha se nuk mund të takohet me Ramën, pa u mbledhur më parë qeveritë e dy vendeve. Mbledhja e dy qeverive ishte parashikuar të ndodhte pak javë më parë, kur tensionet mes Serbisë dhe Kosovës ishin në pikën kritike, por Kurti dhe zyrtarët e Vetëvendosjes shprehën qefmbetje ndaj qëndrimeve të Ramës.
Megjithatë, Rama ka vendosur të mos e komentojë refuzimin e Kurtit, duke thënë se do të flasë kur të jetë momenti i duhur, ditën e nesërme gjatë vizitës së tij në Prishtinë. Aty, kryeministri Edi Rama raportohet se do të pritet nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Është e paqartë nëse Rama do të takohet edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, teksa ky i fundit ka kritikuar qëndrimin e Kurtit duke deklaruar se Rama është i mirëpritur në Kosovë.
“Natyrisht që kryeministri i Shqipërisë është i mirëpritur në Kosovë. Fakti që ne e diskutojmë pritjen ose jo të tij tregon shumë për gjendjen në të cilën ka ardhur Kosova. Kryeministri është i mirëseardhur gjithmonë në Kosovë”, ka deklaruar Abdixhiku.
Kujtojmë se gjatë vizitës në Ulqin katër ditë më parë, kryeministri Edi Rama u takua dhe darkoi me presidenten Vjosa Osmani.