Refuzoi të valëvisë flamurin e ylberit mbi institucion, Merz: Bundestagu nuk është tendë cirku! Ai flamur duhet të shfaqet vetëm më 17 maj, ditët e tjera vetëm flamuri gjerman dhe i BE-së

0

GJERMANIA- Kancelari gjerman, Friedrich Merz është kritikuar ashpër nga partitë e majta pasi refuzoi thirrjet për të valëvitur flamurin e ylberit i njohur si flamuri i krenarisë LGBT mbi Bundestagun më 26 korrik, në Ditën e Christopher Street. Në një intervistë për televizionin publik ARD të martën, Merz mbështeti vendimin e mëparshëm të kryetares së Bundestagut, Julia Klöckner, për të refuzuar këtë kërkesë.

“Bundestagu nuk është një cirk ku mund të valëvitet çdo flamur”, tha shefi i qeverisë gjermane.

Ai shtoi se flamuri i ylberit duhet të shfaqet vetëm më 17 maj, në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë.

“Të gjitha ditët e tjera valëviten vetëm flamuri gjerman dhe ai evropian dhe ky është vendimi i duhur,” theksoi ai.

Deklaratat e kancelarit shkaktuan indinjatë tek deputetët e opozitës. Sophie Koch, komisionere qeveritare për të drejtat LGBT dhe deputete e Partisë Socialdemokrate, akuzoi Merzin se nënkupton se komuniteti LGBT trajtohet si “kafshë cirku”.

Kryetarja e Partisë së Gjelbër, Katharina Dröge, tha se flamuri i ylberit “përfaqëson një grup që po përballet gjithnjë e më shumë me armiqësi, dhunë dhe urrejtje” dhe meriton vend në parlament. Gjithashtu deputetët e Gjelbër organizuan një protestë të heshtur në sallën e Bundestagut duke veshur rroba me ngjyrat e ylberit.