Renditja dhe fanellat e fituara pas Etapës së Parë të ‘Giro d’Italia’ në Shqipëri

0

Mads Pedersen është fituesi i Etapës së Parë të ‘Giro d’Italia’ për edicionin e 108-të, teksa pas tij në podium u ngjitën edhe Uout van Aert dhe Orluis Aular.

Të premten e 9 majit xhiroja e famshme e çiklizmit nisi nga Durrësi dhe pas 160 kilometrash përfundoi në Tiranë, ku danezi Mads Pedersen e mbylli me kohën 3 orë, 36 minuta dhe 24 sekonda, madje fituesi u vendos me ‘foto-finish’.

Pas Etapës së Parë është Mads Pedersen që merr fanellën rozë, atë më të lakmuar që do të thotë se ai do nisë me këtë veshje në Etapën e radhës. Veç fanellës rozë, danezi Pedersen ka merituar edhe fanellën me ngjyrë çiklaminë, e cila i jepet çiklistit që kryeson në klasifikimin e pikëve.

Fanella blu që jepet për klasifikimin e alpinistëve i takoi Sylvain Moniquet dhe ajo e bardhë për garuesit e rinj nën 26 vjeç shkoi për Francesco Busatto.

Këto janë fanellat që u dhanë për ata që i merituan pas Etapës së Parë, ndërsa sot në Tiranë me fillim nga ora 13:55 do zhvillohet Etapa e Dytë e cila i përket asaj të kronometrit individual, ku çiklistët do tregojnë se cili i ka këmbët më të forta për t’i dhënë pedaleve.