Bora mbulon zonat malore në verilindje/ Ndërpritet energjia në disa fshatra, qarkullimi në rrugët nacionale pa probleme
KUKËS- Reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta kanë përfshirë verilindjen e vendit. Gjatë orëve të fundit ka patur reshje dëbore në disa zona malore, ku tarshësia varion nga 30 deri në 50 cm.
Raportohet se në këto zona, për shkak të reshjeve të vazhdueshme të dëborës janë krijuar probleme në disa akse nacionale dhe rurale. Megjithatë, borapastrueset kanë punuar për pastrimin e rrugëve dhe sipas komisionit të Emergjencave Civile, aktualisht të gjitha rrugët nacionale janë të qarkullueshme.
Komisioni i Emergjencave Civile bën me dije se ka probleme në disa rrugë rurale që lidhin qendra të njësive administrative me fshatrat e zonave të thella malore.
Sakaq, për shkak të kushteve të motit, në disa fshatra të Kukësit, Hasit dhe Tropojës ka ndërpreje të energjisë elektrike. Ndërkohe, punonjësit e OSHE ndodhen në terren për riparimin e defekteve.
SHKODËR- Shkodra është zbardhur nga reshjet e dëborës gjatë orëve të mëngjesit, teksa bëhet me dije se situata në akset krysore të mbuluara nga dëbora nuk paraqet probleme me qarkullimin.
Autoritet rrugore njoftojnë se akset rrugore janë të qarkullueshme dhe kontraktorët janë në gatishmëri me mjete dhe punëtorë. Ndërkohë, i bëjnë apel qytetarëve për përdorimin e gomave dimërore.
Autoritet bëjnë me dije se vijojnë reshjet e dëborës dhe momentalisht trashësia e dëborës arrin rreth 6-8 cm.
Njoftimi nga DRV Shkodër:
* Nga DRV Shkoder informohemi se akset rrugore qe mbulon kjo drejtori janë të qarkullueshme. Në aksin Qafë Mali- Fierzë në mëngjes kanë filluar reshjet e deborës, por nuk paraqet problem për qarkullimin, për përdoruesit e automjeteve apelohet të përdorin goma dimërore. Kontraktorët janë në gatishmëri me mjete dhe punëtorë.
* Nga bashkia Shkodër , nuk raportohen probleme të EC.
* Nga bashkia Malësi e Madhe , nuk raportohen probleme të EC.
* Nga bashkia Vau Dejës , nuk raportohen probleme të EC.
* Në bashkinë Fushë Arrëz, vijojnë reshjet e dëborës, momentalisht trashësia e dëborës arrin rreth 6-8 cm. Rrugët janë të hapura dhe qarkullimi vijon pa probleme.
* Nga bashkia Pukë, nuk raportohen probleme të EC.
Reshjet e dëborës/ Zbardhen fshatrat malore në Elbasan, rrëshqitje dheu në disa zona dhe probleme me energjinë elektrike
e
ELBASAN- Reshjet e dëborës kanë zbardhur pothuajse të gjithë fshatrat malorë në Qarkun e Elbasanit. Mëngjesin e kësaj të shtune, trashëshia më e madhe e dëborës është regjistruar në Njësinë Administrative Steblevë, në fshatin Qarrishtë, Rrajcë dhe në disa fshatra të tjerë malorë.
Dëbora ka mbuluar fshatrat në lartësinë mbi 900 metra mbi nivelin e detit dhe vazhdon të bjerë me intensitet të lartë. Ndërkohë që në zonën e ulët bien reshje shiu, ndërsa temperaturat janë ulur ndjeshëm.
Raportohet se moti i keq ka shkaktuar probleme me energjinë elektrike të disa lagjeve në fshatrat malorë. Ndëkohë që në disa fshatra ka patur edhe rrëshqitje të dheut. Në fshatin Pobrat të Elbasanit ka patur rrëshqitje dherash e gurësh të cilët kanë vështirësuar qarkullimin në një segment të kësaj rruge rurale.
Për shkak të reshjeve të vazhdueshme ndërhyrja për largimin e dherave dhe gurëve në këtë segment është e pamundur.
Bëhet e ditur se qarkullimi në këtë aks rrugor është i pamundur. Një situatë e tillë përbën rrezik për automjetet edhe për këmbësorët pasi nga lartësitë bien gurë dhe herë pas here ka rrëshqitje të tokës.
Reshjet e dëborës prezente në qarkun e Korçës, në Dardhë dhe Voskopojë trashësia arrin deri në 10 cm
KORÇË- Qarku i Korçës është zgjuar mëngjesin me reshje dëbore, të cilat kanë qenë prezente në lartësitë mbi 1300 m dhe vijojnë akoma.
Në Dardhë dhe Voskopojë, raportohet se trashësia e dëborës ka shkuar nga 5-10 cm. Reshjet nuk kanë krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve por drejtuesit duhet të ulin shpejtësinë dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
Ndërkohë një pjesë tjetër e qarkut të Korçës prej mbrëmjes së djeshme është përfshirë nga reshjet e shiut dhe temperaturat e ulëta.