Riatdhesimi i grave dhe fëmijëve nga kampet e Sirisë, SPAK has vështirësi në zbulimin e përgjegjësve

0

Vazhdon hetimi për të riatdhesuarit e disa javëve më parë nga zona e luftës në Siri, nga të cilët 14 të mitur dhe 5 gra.

Burime i thanë Fax News se nga marrja në pyetje qoftë nga SPAK, qoftë nga Antiterrori, nuk janë përftuar prova që mund të çojnë përpara hetimet për nxjerrjen e përgjegjësve që kanë dërguar burra, gra e fëmijë në Siri.

Duke qenë se të riatdhesuarit deri tani janë vetëm gra dhe fëmijë, i njëjti burim thotë se ata kanë shprehur mosdijeni për udhëtimin drejt zonave të luftës në Lindjen e Mesme, duke ua lënë përgjegjësinë kryesisht bashkëshortëve të tyre. Kjo është edhe pengesa që kanë hasur hetimet, pasi një pjesë e burrave që kanë shkuar në Siri, kanë humbur jetën në luftime e të tjerë vijojnë të jenë pjesë e luftimeve të grupeve ekstremiste.

Por ndërkohë autoritetet vijojnë hetimet dhe për këtë do të ketë intervista të herëpas’hershme me të riatdhesuarit që të mund të përftohen informacione, që do të ndihmonin autoritetet për ngritjen e akuzave ndaj personave që mund të jenë përfshirë në indoktrinimin dhe nxitjen e ekstremizmit ndaj shqiptarëve që kanë braktisur vendin duke iu bashkuar luftës në Siri.

Nga 2 operacionet e fundit të riatdhesimit kanë mbërritur në Shqipëri deri tani 24 persona, mes të cilëve shumica fëmijë dhe pjesa tjetër gra. Ndërkohë që edhe rreth 30 të tjerë ndodhen në kampet e ferrit në Lindjen e Mesme.

Momentalisht nuk ka një operacion aktiv për riatdhesimin e atyre që kanë mbetur, pa u krijuar kushtet e favorshme sipas burimeve për të ndërmarrë një hap të radhës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu